Presidenti amerikan, Barak Obama, ka thënë se terrorizmi do të ndalet brenda dhe jashtë SHBA-ve. Ai ka vlerësuar se politika amerikane e ka bërë shumë të lehtë që njerëz me çrregullime të blejnë armë.

Obama i ka bërë këto komente në Orlando të Floridas, pasi u takua me persona që i mbijetuan sulmit në një lokal nate për homoseksualë dhe familjarët e 49 viktimave.

Sulmuesi Omar Mateen, kishte deklaruar besnikëri për grupin militant, Shteti Islamik, ndërsa kryente sulmin më 11 qershor. Sulmi, ku është përdorur armë gjysmëautomatike, ka rikthyer thirrjet publike për ligje që kontrollojnë shitjen e armëve.

Obama ka thënë se ligjvënësit amerikanë duhet të shfrytëzojnë rastin dhe të miratojnë ligjin për kontrollimin e armëve. Ai ka thënë se derisa ushtria dhe shërbimet e inteligjencës do t’i luftojnë grupet ekstremiste, qeveria nuk mund të kapë çdo person të çmendur.