Presidenti amerikan, Barack Obama kritikoi kandidatin presidencial republikan Donald Trump për deklaratat e tij të paradokohshme për posedimin me armë bërthamore të aleatëve të Uashingtonit.

Pak ditë më parë, Trump deklaroi në rrjetin informativ amerikan, CNN se do të përbënte avantazh fakti që aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si Japonia apo Koreja e Jugut të kishin armët e tyre bërthamore dhe se nuk përjashtonte faktin që këto lloj armësh t’i përdorte në Evropë.

Pa përmendur emrin e miliarderit të pasurive të paluajtshme, Obama tha se ”komente të tilla reflektojnë faktin për mosnjohje të politikës së jashtme apo të politikës bërthamore, të Gadishullit Korean apo të botës në përgjithësi”.

”Politikat amerikan gjatë më shumë se gjashtë dekadave të fundit kanë kontribuar për paqen dhe prosperitetin e këtij rajoni”, deklaroi Obama.

“Ne nuk mund ta çbëjmë këtë”, theksoi presidenti amerikan në mbyllje të Samitit për Sigurinë Bërthamore që u zhvillua dje dhe pardje në Uashington.