Oda Ekonomike e Maqedonisë (OEM) me një ceremoni solemne dhe tryezë të rrumbullakët me temë “Pozicioni i vendeve të vogla në ekonominë ndërkombëtare – avantazhe dhe mungesa”, shënoi 95 vjetorin nga organizimi i Odës dhe punës në Republikën e Maqedonisë.

Në tryezën e rrumbullakët morën pjesë biznesmenë të suksesshëm të rajonit, burrështetas të theksuar, profesorë dhe hulumtues, mes të cilëve edhe ish-kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan (Stipe) Mesiq dhe Vlladimir Gligorov nga Instituti i Vjenës për Marrëdhënie Ekonomike.

Të ftuar në këtë jubile ishin edhe udhëheqës të forumeve biznesore dhe Odave ekonomike të rajonit, si dhe përfaqësues tjerë me renome nga shkenca dhe biznesi nga vendi dhe jashtë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, tha se pjesëmarrja e figurave të njohura në ngjarjen e shënimit të 95 vjetorit, tregon reputacionin e kësaj ode ekonomike, por shtoi se me një mbështetje edhe më të madhe të qeverisë mund të arrijnë edhe më shumë suksese.

“Qeveria duhet të bëjë një gjë, ajo duhet të vendos dialogun publik dhe privat me odat dhe komunitetin ekonomik. Në këtë mënyrë, në vend që të paraqiten probleme në zbatimin e ligjit, ta përfshijë komunitetin e biznesit në hartimin e ligjeve dhe të gjitha problemet do të zgjidhen”, deklaroi Azeski.

Sipas tij, kriza politike aktuale në vend ndikon në ekonominë e vendit, por aktivitetet e sektorit të biznesit në Maqedoni treguan se janë në gjendje të përballojnë të gjitha sfidat. Ai shtoi se në këto dy vite krizë, biznes sektori në Maqedoni ka arritur shumë suksese, por po të mos ekzistonte kjo krizë numri i produkteve të brendshëm bruto do të ishte edhe më i lartë.

Anëtari i OEM-it, Goran Rafajllovski, tha se Qeveria e re duhet seriozisht të përpiqet dhe të gjitha borxhet e Maqedonisë që i ka qeveria, ndërmarrjet publike dhe komunat t’i pastrojë, gjë e cila sipas tij, do të krijojë një klimë më të mirë ekonomike në vend. Ai apeloi që udhëheqësit e subjekteve politike në Maqedoni të formojnë qeverinë e re sa më shpejtë të jetë e mundur, pasi që gjendja aktuale ndikon në ekonominë e vendit.

“Në botën e globalizimit vendet e vogla mund të kyçen vetem nëse i ndjekin trendet dhe nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë vendet e vogla do të mbeten aty ku gjenden si vende të vogla. Mirëpo, ekonomia nuk njeh vende të vogla, por njeh vetëm ekonomitë e suksesshme dhe Maqedonia në bazë të potencialit të saj mund të jetë me ekonomi të suksesshme në 20 vitet e ardhshme”, deklaroi Rafajllovski.

Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe lideri i Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, i cili tha se: “Kjo ngjarje është një mundësi e shkëlqyer që të dëgjohen praktika të biznesmenëve të mëdhej që janë treguar këtu në Maqedoni dhe në rajonin. Kjo që diskutohet është me të vërtetë e vlefshme në çdo aspekt dhe besoj se edhe ne politikanët mund të mësojmë shumë gjëra nga përvojat e njerëzve të biznesit nga rajoni”.

Zaev në lidhje me bisedimet për formimin e qeverisë së re me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), tha se ka marrë dokumentin me kërkesat e BDI-së si kusht për koalicion. Ai theksoi se është i gatshëm të pranojë gjithçka në bazë të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë. Ai bëri të ditur se grupet punuese të partisë së tij janë duke diskutuar kërkesat e BDI-së.

Azeski: Dëmet nga bllokada e vendkalimit kufitar do të jenë të mëdha 

Në lidhje me bllokadën e vendkalimit kufitar greko-maqedonas, si pasojë e grevës së bujqve grekë të cilët mbajnë të bllokuar nga 30 janari i këtij viti, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski, tha se momentalisht dëmet nuk mund t’i vlerësojë, por apeloi që Bashkimi Evropian (BE) të zgjidh këtë çështje, për shkak se sipas tij, është mëse e qartë se dëmet do të jenë të mëdha.

“Dëmet në këtë moment nuk mund t’i vlerësojë, por do të jenë dëme të mëdha, për shkak se këto dëme do të arrijnë më vonë. Aktualisht ne kemi problem në tre sektore, edhe atë me mallrat që qëndrojnë të bllokuar, importet e produkteve të naftës që shkojnë përmes Bullgarisë dhe me ndërmarrjet e vogla të cilat nuk mund të importojnë mallra”, deklaroi Azeski.​