Propozim-ligji i ri i Ministrisë së Drejtësisë për Parandalimin e Korrupsionit ka shkaktuar reagime të shumta nga organizatat joqeveritare. Përfaqësuesit e sektorit civil që kanë qenë pjesë e grupit punues thonë se nuk i kanë përpara publikimit të propozim-ligjit të ri për parandalimin e korrupsionit, ndërkaq nga Ministria e Drejtësisë thonë se ky propozim-ligj nuk është final, shkruan Portalb.mk.

“Nuk kemi qenë të njoftuar, por nuk do të mund t’u japë deklaratë për atë se çfarë ka ndodhur, presim që të na njoftojë Ministria e Drejtësisë dhe pastaj do të ju tregojmë se cili është qëndrimi ynë”, thotë Dançe Dellovska, nga Fondacioni Shoqëri e Hapur.

Edhe Ana Deleva nga Transparencë Maqedoni, thotë se Ministria e Drejtësisë e ka publikuar propozim – ligjin edhe pse nuk i kanë njoftuar paraprakisht për të njëjtin.

“Nuk na kanë njoftuar, ata e publikuan propozim – ligjin a grupi punues ka pasur të caktuar takim më 4 shtator. Disa pjesë të ligjit për të cilët kemi punuar fare nuk janë ndryshuar”, thotë për Portalb.mk Deleva.

Nga Ministria e Drejtësisë për Portalb.mk, thonë se ngelet i hapur opsioni për ndryshim të propozim-ligjit të prezantuar, ndërkaq përfaqësuesit e sektorit civil janë ftuar që të diskutojnë për të njëjtën.

“Menjëherë pas konferencës për shtyp dje i kemi ftuar përfaqësuesit e sektorit civil që t’i japin propozimet e tyre, rekomandimet dhe komentimet. Atë që e kemi bërë ne se në propozim ligjin e ri, vetëm kemi shtuar dhe ndryshuar dispozita nga ligji i vjetër. Ne nuk jemi as në qëndrimin se duhet, as në atë se s’duhet, por ne e lëmë që të diskutojnë edhe ekspertët, pasi që ky nuk është ndonjë propozim që ne si Ministri e kemi përgatitur dhe të njëjtin e mbrojmë. Lirisht le të debatohet, nëse vihet në përfundim se nuk duhet të jetë, në rregull është. Pas publikimin në Regjistrin e Vetëm Nacional Elektronik, procesi i diskutimit zgjatë 20 ditë. Nëse vendoset që të fshihet dispozita, nuk është kontestuese, ose nëse duhet që të plotësohet le të plotësohet. Kjo vlen për të gjitha pjesët”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Reagime ka pasur edhe në rrjetet sociale, sidomos për nenin 49 të propozim – ligjit për parandalim të korrupsionit, i cili fare nuk është ndryshuar nga i vjetri, edhe pse gjatë takimeve të grupit punues, është kërkuar që i njëjti të ndryshohet ose fare të fshihet.

Sipas të njëjtit, Komisioni për Antikorrupsion, ka kompetencë që të bëjë kontrolle financiare edhe ndaj organizatave qytetare dhe fondacioneve, edhe pse ato nuk punojnë me para publike, gjegjësisht të buxhetit.

“Komisioni për Parandalimin e Korrupsionin (Anti-Korrupsioni) ka kompetencë për ngritjen e iniciativës përpara organeve kompetente për kontroll të punës materiale-financiare të partive politike, sindikatave dhe organizatave civile dhe sindikatave”, shkruhet në nenin në fjalë.