Shtetet e Bashkimit Europian mund të marrin më shumë refugjatë nga Siria, ka thënë shefi i ri i Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, Filippo Grandi, për BBC-në.

Diplomati italian, i cili ka marrë detyrën këtë vit nga portugezi Antonio Guterres, ka folur gjatë një vizite në Liban.

Grandi po ashtu i ka bërë thirrje BE-së që të bëjë më shumë për refugjatët sirianë jashtë Evropës.

Udhëheqësit e Bashkimit Europian kanë paralajmëruar krizë, pasi mbi një milion migrantë kanë hyrë në Evropë ilegalisht vitin e kaluar.

“Nëse Europa nuk mund t’i mbrojë kufijtë e saj, ideja e Evropës mund të vihet në dyshim”, ka thënë këtë javë kryeministri i Francës, Manuel Valls.

“Kur të vijë pranvera dhe numrat të katërfishohen, ne, si BE, nuk do të mund të përballemi me numrat”, ka thënë të premten kryeministri holandez, Mark Rutte.

Komisionari i ri i Lartë i OKB-së për Refugjatë ka takuar të dielën refugjatë në kampet në Liban dhe Jordani, njofton Radio Europa e Lirë.

“Evropa mund të pranojë më shumë refugjatë të vërtetë nëse ka organizim më të mirë midis shteteve anëtare. Megjithatë, ne e kuptojmë gjendjen e vështirë. Është një telash social dhe politik, i cili është shumë serioz”, ka thënë Grandi për BBC-në.

Hungaria, njëra nga kritiket më të ashpra të politikave të migracionit, ka thënë se kriza me refugjatët është “problem i Gjermanisë” pasi Gjermania është vendi ku “refugjatët do të donin të shkonin”.

Fluksi i vitit të kaluar ka shënuar krizën më të rëndë me refugjatë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.