Lojërat Olimpike “Pyeongchang 2018” që nisin më 9 shkurt në Korenë e Jugut pritet të vendosin edhe një rekord tjetër, atë të temperaturave tepër të ulta ku do të zhvillohet mjaft gara.

Parashikimi i motit për dy javët në vijim nuk lë shumë dyshime për kushtet atmosferike, që pritet të kapin temperatura deri në -14 gradë celcius. Një shifër që kalon atë të Olimpiadës së Lillehammer, ku u arrit temperatura -11 gradë celcius, ndërkohë që dy Olimpiadat e fundit dimërore (në Vankuver dhe Sochi) u zhvilluan në tempratura pranverore.

Shqetësimi më i madh për organizatorët mbetet data 9 shkurt, kur zhvillohet ceremonia e hapjes së Olimpiadës, që do të organizohet në mbrëmje, në një stadium që nuk është i mbuluar. Madje stadiumi ndodhet në një zonë ku fryn shumë erë, e cila kryesisht vjen nga zonat e ftohta të Siberisë. Ndaj po mendohet që për spektatorët të vihen në dispozicion batanije në rast se do të jetë e nevojshme, por edhe dorashka me ngrohëse e mjaft mjete të tjera praktike, për të evituar ndonjë tragjedi.

Ndërkohë që gjatë garave pritet që të jenë emocionet ato që do të ngrohin tifozët e shumtë, tifozë që do të vijnë nga të gjitha vendet e botës. Gjithsesi, përgjatë dy javëve të Olimpiadës temperaturat do të jenë shumë të ulta dhe gjatë javës së ardhshme priten edhe reshje dëbore, që do ta bëjnë edhe më të vështirë transportin apo garën e disiplinave që zhvillohen në ambiente te hapura.