Opozita, si ajo maqedonase po ashtu edhe shqiptare, bojkotuan manifestimin qendror për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski madje ishte paraparë të fliste në panelin e parë, por nuk u duk askund në sallë. Ftesë për pjesëmarrje, por jo edhe të mbajnë fjalim, kishin edhe kryetarët e partive në koalicion, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi, por as këta nuk shkuan! Zylfi Adlili nga koalicioni opozitar shqiptar përmes një reagimi për media tha se ata që për dy dekada patën përgjegjësinë më të madhe për zbatimin e kësaj marrëveshje, sot organizojnë festa dhe ahengje të shtrenjta për të mbuluar dështimin e tyre dydekadëshe. Marrëveshja e Ohrit, sipas Adilit, vazhdon të jetë temë diskutimi dhe asnjë nga shtyllat e kësaj marrëveshje nuk është rrumbullakosur.

“Ende nuk janë përmbushur obligimet e marrëveshjes, siç janë: përfaqësimi i drejtë, barazia sociale dhe ekonomike, barazia kushtetuese e qytetarëve të vendit, arsimi cilësor, marrëdhëniet ndëretnike, risocializimi I pjesëmarrësve në konflikt, decentralizimi real i pushtetit. Mosfunksionimi i badenterit dhe integrimi evropian”, deklaroi Zylfi Adili.

VMRO-DPMNE që dje paralajmëroi se as kryetari Mickoski e asnjë anëtar tjetër i partisë nuk do të marrë pjesë në manifestim. Në vend se të jetë agjendë shtetërore, u bë promovim partiak-politik i disa personave dhe partive politike.

“Nëse me të vërtetë do të ishin të brengosur për frymën e Marrëveshjes së Ohrit atëherë paratë e manifestimit do të ishte më e mençur të riorientohen dhe të jepen për rekonstruktim të shkollave në Tetovë, Gostivar, Kumanovë ose për zgjidhjen për shembull të problemit me ujin që e kanë tetovarët. Më mirë do të ishin përdorur për servisim të aeroplanëve për shuarjen e zjarreve”, tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Kërcënimi më i madh për marrëveshjen e Ohrit, sipas VMRO-DPMNE-së, është pikërisht ky pushtet që e përçan popullin se kush është me ta, e kush kundër tyre! Nga ana tjetër në reagimin e opozitës shqiptare, bëhet thirrje ndaj BDI-së që të mos manipulojnë me gjakun dhe sakrificën e ushtarëve dhe gjithë kontribuesve të tjerë, si dhe të mos manipulonjnë, sepse siç thonë, paratë nuk po harxhohen për Marrëveshjen e Ohrit, por për festa dhe fushatë parazgjedhore duke keqpërdorur këtë dokument.