Partitë shqiptare në opozitë vlerësojnë se më me rëndësi janë kushtet për zgjedhje se data e tyre. Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi pohon se të gjitha partitë duhet të punojnë në përmirësimin e kushteve për zgjedhje, në të kundërtën mund të shkatërrohet gjithçka. Thaçi këto komente i bëri pas takimit me drejtorin e Drejtorisë për Zgjerim të Komisionit Europian, Kristian Daniellson.

“Çështja e zgjedhjeve është me rëndësi të jashtëzakonshme. Nëse duam seriozisht ta mbyllim plagën e vitit kaluar, duhet të bëjmë zgjedhje serioze, fer dhe demokratike. Në këtë drejtim duhet të gjithë të punojnë edhe institucionet edhe partitë politike që të përmbushen kushtet. Kushtet përmbushen deri në ditën kur mbahen zgjedhjet dhe jepet vlerësimi i tyre”, ka deklaruar kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Për Lëvizjen Besa në zgjedhje do të shkohet vetëm pas vlerësimit të faktorit ndërkombëtar se janë krijuar kushtet.

 “Qëndrimi jonë zyrtar ka qenë që përshkak që ne nuk i besojmë institucioneve të këtij vendi që të dalin me konstatime për krijimin e kushteve, kemi marrë qëndrim që pasi faktori ndërkombëtar të dalë me vlerësim se ka ose kushte, në do të qëndrojmë pas atij qëndrimi. Nëse ata thonë se ka kushte, ne nuk kemi arsye për mos t’i besuar”, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.

Sipas kreut të Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela zgjedhje ideale nuk do të ketë dhe se të gjitha ata që kanë keqpërdorur dhe vjedhur zgjedhje dhe legjitimitet, duhet të përfundojnë në burg. Sela këto komente i bëri pas takimit me Odën Ekonomike të Maqedonisë veri-perëndimore.

Zijadin Sela, Kryetar i LR PDSH-së
“Jo, unë nuk mendoj se ka kushte për zgjedhje fer dhe demokratike dhe nuk mendoj që ndonjëherë do të ketë kushte ideale për zgjedhje fer dhe demokratike, por të paktën duhet krijuar një minimum. Ky minimum është që njerëzit që kanë keqpërdorur dhe kanë vjedhur legjitimitet dhe kanë shantazhuar njerëz dhe kanë blerë ose kanë shitur, do duhet të jenë në burg para zgjedhjeve”, ka thënë kreu i LR-PDSH, Zijadin Sela.

Vlerësimi i partive opozitare vjenë 48 orë para afatit të paraparë për shpërbërjen e Kuvendit. Zgjedhjet parlamentare janë caktuar për më 5 qershor.