Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare nuk heqin dorë nga kërkesa për interpelancë, jo vetëm për ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, por edhe për tërë qeverinë. Reagimi i tyre ka të bëjë me rastin me ish-drejtorinë e policisë sekrete, Sasho Mijallkov, i cili pas dy ditë kërkimesh intensiv nga policia, u paraqit vetë në Gjykatën Penale për marrjen e vendimit për arrest shtëpiak lidhur me akuzën e përgjimeve masive.

Opozita vlerëson se rasti është i orkestruar nga pushteti dhe vetë Mijallkov, që konsiderohet si njëri nga personalitetet më të fuqishme në kohën e qeverisjes së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.

“Të gjithë ne po e paguajmë shumë shtrenjtë biletën e këtij cirku dhe ata po luajnë me fatet tona. Në njërën anë ne flasin për shtet ligjor, ndërsa në anën tjetër kriminelët ikin dhe qytetarët e zakonshëm gjykohen për mosmbajtjen e maskave. Qytetarët tanimë e kanë kuptuar se që kur erdhi (kryeministri, Zoran) Zaev në pushtet, krimi dhe korrupsioni po qeverisin me këtë vend. Kjo është edhe arsyeja që ne të gjithë së bashku t’i japim fund gjithë kësaj dhe të punojmë edhe më shumë për të përmbysur këtë regjim hibrid. Dhe së shpejti do ta rrëzojmë”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.