Ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani, tashmë është në rrugë për në Sofje. Atje udhëton drejtpërdrejtë nga Parisi ku ishte në vizitë zyrtare. Duhet të ketë takim të veçantë me kolegen e tij nga Bullgaria, Ekaterina Zaharieva. Nga kabineti i tij për TV21 thonë se më shumë informacione do të ketë kur të kthehet në Shkup. Të njëjtën gjë e thanë edhe nga Qeveria.

“Përndryshe, e dini se paraprakisht, harmonizimi i dy dokumenteve që i dorëzuan të dy palët është në fazë finale, kështu që pritet në mënyrë më precize pas këtij takimi të dihet rreth hapave të ardhshëm”, tha Dushko Arsovski – zëdhënës i Qeverisë.

Në ndërkohë, euro deputeti bullgar, Andrej Kovaçev në intervistë për portalin zoom.mk thotë se të dy vendet vetë duhet ta zgjidhin problemin, e të mos presin se dikush tjetër do ta bëjë këtë. Siç thotë, ai dëshiron që RMV të jetë mike e Bullgarisë, siç është me Gjermaninë, Austrinë.

“Mua me të vërtetë më vjen keq që Zoran Zaev mendon ashtu. Me të vërtetë është e trishtueshme se dikush në Berlin, Bruksel apo Uashington do të kryej presion ndaj fqinjit tënd dhe do të përfundojë atë që ti nuk e ke përfunduar. Por, jo të përfundojë në lidhje me plotësimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, të pranosh historinë e përbashkët si histori e përbashkët e dy popujve tanë të tanishëm, e jo si histori e gadishullit Ballkanik, historisë otomane, Evropës apo njerëzimit”, u shpreh Andrej Kovaçev – euro-deputet nga Bullgaria.

Ndërmjetësuesi special në këtë dialog, Vllado Buçkovski para disa ditëve në intervistë për “360 gradë” deklaroi se shansin i parë për de-bllokim të raporteve nga ana e Bullgarisë e sheh në maj apo qershor, ndërsa nëse nuk bëhet asgjë deri atëherë, shansi i dytë do të jetë në dhjetorë, kur do të përfundojnë zgjedhjet edhe te ne.