11 ekspertë, 18 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurtër të OSBE-së do të kenë nën “thjerrëz” zgjedhjet presidenciale të 21 prillit dhe 5 majit. Duke filluar nga 20 marsi në të gjithë vendin do të shpërndahen ekipe, të përbëra nga dy vëzhgues, raporton Alsat.

Monitorimi do të përfshijë: mbulimin mediatik të fushatës, regjistrimin e votuesve, atë të kandidatëve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe të organeve përkatëse qeveritare, legjislacionin që ka të bëjë me zgjedhjet dhe zbatimin e tij. Misioni vëzhgues i OSBE-së do të takohet me përfaqësues të autoriteteve shtetërore, partive politike, shoqërisë civile, medias dhe të komunitetit ndërkombëtar. Qëllimi i monitorimit të zgjedhjeve është që të njëjtat të realizohen në frymë demokratike, tha shefja e misionit vëzhgues Corien Jonker.

Do të vëzhgojmë administratën zgjedhore në nivele të ndryshme, regjistrimin e votuesve dhe të kandidatëve, fushatën dhe financimin e saj si dhe ambientin e fushatës. Nuk na interesojnë rezultatet e zgjedhjeve, por cilësia e tyre, drejtësia dhe pa anshmëria- deklaroi Corien Jonker- Shefe e Misionit të OSBE-sË në Shkup.

Ky mision do të publikojë një raport të përkohshëm gjatë punës së tij, ndërsa një ditë pas zgjedhjeve do të publikohet raport ku do të pasqyrohen përfundimet paraprake. Misioni i OSBE-së dhe ai i ODIHR do të veprojnë veçmas dhe në mënyrë të pavarur, në kuadër të mandatit të tyre. Ndërkohë siç njoftojnë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, vetëm tre nga nëntë kandidatë do të hyjnë në garën për President të vendit në zgjedhjet e 21 Prillit. KSHZ-ja ka konfirmuar se Gordana Siljanovska- Davkova, Stevo Pendarovski dhe Blerim Reka në afatin e paraparë kanë grumbulluar nënshkrimet e nevojshme./Alsat/