Eksperti i çështjeve juridike, Osman Kadriu, thotë se kryesuesi i seancës konstituive, Trajko Veljanovski, do të duhet me automatizëm t’ia dorëzojë kabinetin dhe dokumentacionit përkatës kryetarit të ri, Talat Xhaferit.

Sipas Kadriut, edhe përkundër rrethanave të krijuara, dorëzimi i kompetencave do të duhet të bëhet në mënyrë solemne, pa pasur nevojë ushtrimin e forcës, pasi që Xhaferi është i zgjedhur legjitim nga shumica parlamentare.

“Seancat e radhës duhet t’i konvokon vetëm kryetari i porsazgjedhur. Është absurd të mendohet që kryesuesi i deritashëm do të vazhdojë me seancat e Parlamentit. Ai nuk ka kompetencë. Nuk është kompetencë e kryesuesit që ai ta konteston zgjedhjen e zoti Talatit. Ai pastër shkurt dhe shqip duhet t’ia dorëzon kabinetin kryetarit të porsazgjedhur. Me dorëzimin e kabinetit ai duhet të bëjë dorëzimin e atyre akteve të cilat janë të lidhura ngushtë me postin kryetar i Parlamentit. Edhe me seancat duhet të vazhdojë kryetari i porsazgjedhur, ajo bëhet me automatizëm, nuk ka afate ligjore”, deklaroi eksperti juridik, Osman Kadriu.

Kadriu gjithashtu i quan të pamatura, pa bazë juridike dhe kushtetuese deklarimet e Veljanovskit se nuk e pranon kryetarin e porsazgjedhur, nuk e dorëzon kabinetin dhe se do të vazhdojë me mbledhjet e ardhshme. Në rast se kryesuesi i seancës konstituive për disa ditë tregon rezistencë në mosdorëzimin e kabinetit dhe dokumentacionit përkatës, eksperti Kadriu thotë se ai do të duhet të largohet me forcë.

“Atëherë kryetari duhet të kërkon nga forcat e sigurisë, ata që janë përgjegjës për sigurinë dhe mbarëvajtjen e Kuvendit, të kërkojë edhe largimin e tij me forcë. Nuk besoj se do të vijë deri te kjo, por në fund të fundit edhe ajo mund të ndodhë në qoftë se kryesuesi manifeston forcë, konvokon mbledhje, pasi që assesi nuk do të shkojë shumica parlamentare. Ai nuk ka kushte ligjore-kushtetuese të konvokon seancë të parlamentit”, theksoi eksperti juridik, Osman Kadriu, njofton TVM2.

Të enjten e kaluar emërimi i Talat Xhaferit për kryeparlamentar nga mazhoranca u pasua me dhunë nga protestuesit, duke lënë të lënduar mbi 100 persona, deputetë, gazetarë dhe të punësuar në Parlament.