Kryetarit të LR-PDSH-së z. Ziadin Selës

Prof. Xhelal Zejneli

I nderuar Ziadin,

Shumë shqiptarë, kudo që janë, në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi, në Çamëri dhe në diasporë – në Evropë e në ShBA, luten për mjekimin tënd efektiv dhe për rimëkëmbjen tënde sa më të shpejtë.

Sulmi mbi ty nuk mund të ketë qenë i rastësishëm, por i planifikuar dhe i paramenduar.

Ke qenë shënjestër e sulmuesve dhe dhunuesve barbarë, të ushqyer nga mbartësit e një ideologjie anakronike, retrograde dhe antihistorike, që është në kundërshti të plotë me tendencën historike dhe me parimet e botës së qytetëruar.

Animatorët dhe nxitësit e hordhive të egra bizantine që janë në krye të një politike të konsumuar, shpejt do të marrin tatëpjetën dhe bashkë me idetë mesjetare të tyre, të mbështjella nga obskurantizmi, do të përfundojnë në errësirën e humnerës.

Shqiptarët luten që ta marrësh veten sa më parë dhe me forcën prometeane të vazhdosh luftën kombëtare, me mjete politike dhe demokratike, në rrugën institucionale, për një Maqedoni dy popujsh të barabartë, me shqiptarë dhe sllavo-maqedonas njësoj vendimmarrës, stabël dhe në rrugëtim euro-atlantik, në funksion të stabilitetit të rajonit.

Organizuesit e komplotit dhe të Natës së Bartolomeut në organin më të lartë të shtetit, ndodhen në anën e kundërt të historisë. Jemi dëshmitarë të fillimit të fundit të tyre.

Politika satanike dhe djallëzore e demonëve të llojit të Pont Pilatit dhe veprimet degutante e antishqiptare të tyre – janë duke perënduar.

Çështja shqiptare do të ngadhënjejë, ngase mbështetet mbi të drejtën historike por dhe të bashkëkohësisë.

Kohë të mira dhe bardha, lajmëron orakulli i historisë, për të ardhmen e shqiptarisë!

Të përshëndes Zijadin, me ndjenjën e konsideratës më të lartë!