Maqedonia dhe Kosova kanë qëllimin e njejtë – anëtarësim në BE dhe duhet të përkrahin njëri-tjetrin në këtë proces nëpërmjet dialogut të vazhdueshëm, të hapur dhe konstruktiv, tha zv.kryeministri i Maqedonisë, i angazhuar për çështje evropiane, Bujar Osmani në takimin me ministren e Kosovës për integrim evropian, Dhurata Hoxha, njofton Fol.

Në atë kontekst, Osmani ofroi përvojën dhe dijen që Maqedonia ka mbledhur në pjesën e zbatimit të Marrëveshjes për asocim-stabilizim, me bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe ndihmë ekspertësh, duke theksuar se Kosova do ta ketë përkrahjen e plotë të Maqedonisë për synimet e tyre euro-atlantike.

Osmani dhe Hoxha e përsëritën dhe përshëndetën nismën për mbajtjen e seancës së përbashkët të qeverive të dy shteteve, në suaza të mekanizmave të vendosur institucional me Marrëveshjen për bashkëpunim në sferën e integrimeve evropiane, ndërsa u shqyrtuan edhe projektet e përbashkëta në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe mundësinë e vendosjes së doganës së përbashkët.

Zv.kryeministri Osmani konfirmoi se punohet në zbatimin e projektit strategjik në kuadër të IPA-s për bashkëpunim tejkufitar, vendkalimi kufitar Bellanoc-Stançiq, dhe nënvizoi se do të bëjë gjithçka që është nën kompetencat e tij që procedurat të përfundojnë në kohën e duhur, për çka kërkoi përkushtim edhe nga institucionet e Kosovës. /Fol/