Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot, në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane, mbajti takim të përbashkët me Alehandro Alvargonzales, ndihmës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s për Çështje Politike dhe Siguri Politike dhe Maçej Popovski, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm për Politikë Fqinjësore dhe Negociata për Zgjerim pranë Komisionit Evropian, njofton Fol.

Në takimin e përbashkët u diskutuan aspiratat evropiane të Republikës së Maqedonisë, në kontekst të rekomandimeve të cilat i përmban Strategjia e re e Komisionit Evropian për zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2025.

“Ndodhemi në një periudhë, që mundë të thuhet, periudhë historike, kur konsensusi nacional dhe shoqëror është i domosdoshëm që përfundimisht ta mbyllim çështjen e BE-së dhe NATO-s”, theksoi Osmani, duke potencuar mesazhet e Strategjisë së Komisionit Evropian, që me saktësi i përvijojnë për vendet e Ballkanit Perëndimor deri në anëtarësimin me të drejtat të plota.

Në vazhdim Osmani referoi edhe për gjendjen e implementimit të Planit 3-6-9, posaçërisht në pjesën e reformave të sistemit gjyqësor, reformat në shërbimet e sigurisë, si dhe reformat në administratën publike. “Ekziston një optimizëm i qartë evropian, që paraqet një nxitje të rëndësishme për Qeverinë, por edhe për gjithë shoqërinë, të cilët në përgjithësi janë përkushtuar integrimeve euro- atlantike të Republikës së Maqedonisë” – shtoi Osmani.

Duke i komentuar perspektivat evropiane dhe euro- atlantike të rajonit, bashkëbiseduesit ranë dakord se vetëm një Ballkan Perëndimor i sigurtë, stabil dhe i përparuar si pjesë e familjes evropiane parqet garanci për ardhmërinë, stabilitetin dhe sigurinë e Evropës në tërësi. /Fol/