Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, më 28 shkurt, qëndroi në Slloveni me ç’rast vizitoi Komunën Ljutomer, ku u prit nga nënkryetari i kësaj komune, Boro Zemljak.

Qëllimi i kësaj vizite ishte që të mësohet më shumë rreth projekteve që lidhen me trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin me mbeturina komunale, si dhe të përfitohet nga përvoja e madhe e Komunës Ljutomer në aplikimin për fonde të BE-së.

Përfaqësuesit e dy komunave ranë dakord që nxënësit e shkollave të mesme të dy qyteteve të realizojnë vizita të ndërsjella. Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe nënkryetari i komunës Ljutomer, Boro Zemljak shfaqën interesim edhe për binjakëzimin e dy komunave, për çka pritet që shumë shpejtë të fillojnë edhe procedurat përkatëse.

Taravari dhe Zemljak, shkëmbyen dhurata me simbolet e qyteteve. Gjatë vizitës në komunën Ljutomer të Sllovenisë, kryetari Taravari ishte i shoqëruar nga shefi i kabinetit të tij, Seadin Ejupi, udhëheqësi i Zyrës për Zhvillim ekonomik lokal, Besim Dogani, si dhe profesori Abdyladi Sallmani i cili është edhe iniciator për binjakëzimin e komunës së Gostivarit me këtë komunë sllovene. /Fol/