Gjatë ditëve të ardhshme qeveria në seancë do ta shqyrtojë ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, që më pas i njëjti të shkojë në Kuvend. Zv/kryeministri Bujar Osmani deklaroi se është i kënaqur që ka konsensus mes shumicës në pushtet lidhur me këtë çështje. Por i pyetur nëse qeveria pret bllokada nga VMRO-DPMNE-ja opozitare kur ligji do të dorëzohet në Kuvend, Osmani u përgjigj: Mendoj se jo, sepse ata kishin qëndrim publik se do ta ndryshojnë raportin ndaj shqiptarëve sepse kanë konstatuar në parti se kanë qasje të gabuar. Ne mendojmë se ky është shansi ideal për VMRO-në që ta korrigjojë qëndrimin dhe bashkërisht me konsensus ta miratojmë ligjin për gjuhët – deklaroi Bujar Osmani, Zv/kryeministër për çështje evropiane.

Përveç se për gjuhën shqipe, Osmani u përqendrua edhe në reformat në sistemin e drejtësisë. Politika dhe qeveria, pohon ai, nuk do të përzihen në punën e sistemit gjyqësor. Qëndrimi i këtillë i zëvendëskryeministrit vjen pas paralajmërimit të kryeministrit Zoran Zaev gjatë fushatës parazgjedhore, kur u angazhua për rizgjedhje të përgjithshme të të gjithë gjykatësve.

Osmani tha se gabimet e gjykatësve do t’i zbulojë Këshilli Gjyqësor i cili duhet të miratojë vendime ne bazë të kritereve të përcaktuara. Sipas tij sistemi i pavarur gjyqësor, gjykimi pa ndikim, drejtësia për të gjithë, gjykatës me integritet dhe profesionalizëm janë parakushtet themelore për zhvillimin demokratik.

Alsat-M