Zëvendëskryeministri i Maqedonisë për çështje integruese, Bujar Osmani, në një intervistë për ABCNews, është deklaruar në lidhje me referendumin e mbajtur në Maqedoni.

Ai ka thënë se dështimi i arritjes së censusit është për shkak se në vend janë të regjistruar 1.8 milionë votues, ndërsa realisht aty janë vetëm 1.2 milionë. Sipas tij, nëse do të ishin realisht të evidentuar vetëm këta 1.2 milionë, dalja e mbi 600 mijë votuesve do të thotë se është arritur censusi, ka spjeguar versionin e tij Osmani.

Zv.kryeministri ka folur edhe për dallimin në kampanjën e bllokut për promovimin e referendumit, i cili, sipas tij, ka shpalosur vlerat e NATO-s dhe BE-së, ndërsa protagonistët e bojkotimit kanë luajtur në kartën emocionale, se cënohet emri, identiteti, etj.