Në vazhdim të vizitës së punës në Francë, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, realizoi takime të ndara në Pallatin e Eliseut me këshilltarët e Kabinetit të presidentit Emmanuel Macron, Isabelle Dumont përgjegjëse për Evropën Kontinentale dhe Turqinë dhe me këshilltarin për Evropë, Alexandre Adam.

Në takimin e përbashkët Osmani potencoi rëndësinë e zbatimit të vendimit të BE-së nga marsi i vitit të kaluar, si kusht i rëndësishëm për ruajtjen e kredibilitetit ne rajon, veçanërisht kredibilitetin e procesit të zgjerimit. Në këtë drejtim u shqyrtua edhe strategjia për Ballkanin Perëndimor e presidentit Emmanuel Macron, për të cilën u konstatua se paraqet interes për të dy vendet.

“Ne i kuptojmë shqetësimet e BE-së dhe kuptuam nevojën për transformimin e Unionit. Fuqishëm e mbështesim projektin për Ardhmërinë e Evropës dhe japim mbështetje të fortë për Metodologjinë e re të bisedimeve. Shprehëm gatishmëri së bashku me anëtaret e BE-së, veçanërisht Francën, por edhe me institucionet evropiane të punojmë në zhvillimin e konceptit i cili do të sjellë kualitet të ri në raportet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Maqedonia e Veriut është e gatshme për mbikëqyrje edhe më të rreptë, por edhe më fer, dhe ne në këtë shohim përparësi në transformimin tonë”, tha Osmani.

Në margjinat e vizitës së punës në Paris, Osmani realizoi takim edhe me Marta De Sidrac, kryetare e grupit për bashkëpunim midis Francës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Senatin francez, ndërkaq kishte takim edhe me zëvendës drejtorin gjeneral i Agjencisë Franceze për Zhvillim, Philippe Baudoin.

Vizita e punës në Paris, e shefit të diplomacisë, Osmani, është pjesë e turneut të tij diplomatik në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Mbështetja e riafirmuar nga ana e Francës, dhe tre Marrëveshjet e nënshkruara janë rezultati pozitiv nga kjo vizitë, me çka progresi i raporteve bilaterale midis Maqedonisë së Veriut dhe Francës merr intensitet shtesë.