Nga BDI-ja thonë se kërkesat e tyre janë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe nuk cenojnë politikat e asnjërës prej partive politike në Maqedoni.

Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani tha se për partinë e tij, sundimi i shtetit ligjor duke filluar me zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale dhe zbatimi i plotë i dygjuhësisë janë ligje për të cilat duhet të miratohen sa më parë.

Osmani tha se BDI nuk heq dorë edhe nga kushtet e tjera të evidentuara në deklaratën e përbashkët të partive shqiptare dhe pesë pikat e platformës parazgjedhore të BDI-së të cilat sipas tij janë proces, dhe duhet të zbatohen me kalimin e kohës.

“Çështja e barazisë gjuhësore dhe çështja e sundimit të së drejtës nëpërmjet të punës së Prokurorisë Speciale me qëllim të të gjitha dyshimeve që dalin nga megaskandali i përgjimeve janë si parakushte kryesore për të filluar bisedimet për pikat tjera. Nuk mendoj se kjo cenon cilëndo parti politike në Maqedoni. Vendimmarrja konsenduale dhe barazia ekonomike janë procese të cilat duhet na bazë ditore të zgjidhen dhe nuk janë çështje që mund të rregullohen me një ligj”, deklaroi zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani.

Sipas Osmanit nuk do të hiqet dorë as nga zbardhja e rasteve të montuara gjyqësore që është një ndër pikat e Platformës së përbashkët shqiptare.