Edhe pse thuajse për çdo javë promovohen dhe paralajmërohen investime të reja në zonat e lira ekonomike në Maqedoninë Lindore, ministri i Ekonomisë Bekim Neziri këmbëngul se edhe në Zonën Ekonomike të Tetovës ka investime. I pyetur për dallimin e dukshëm mes zonës së Tetovës dhe zonave të tjera ekonomike, Bekim Neziri sygjeroi të shkojmë në Tetovë që t’i shohim investimet në këtë zonë.

Gazetari: “Pyetja ime ishte për ridestinimin e investimeve. Tashmë një kohë të gjatë investimet po ridestinohen në pjesë ku gravitojnë më shumë maqedonas nëse mund të them, por Tetova ende nuk ka asnjë fabrikë…”

Bekim Neziri, ministër i ekonomisë: “Nuk është e vërtetë. Nëse dëshironi ta demantoni vetëveten mund ti hypni veturës dhe të shkoni në Tetovë. Fabrika “lear” ndërtohet, me datën 14 maj do të duhet të jepet në përdorim kjo fabrikë. Unë kam përmendur edhe më herët se edhe tre investime në zonën e Tetovës kan kaluar në Qeveri por ajo që mund të shihet është se fabrika e “LEAR”-it po ndërtohet intensivisht”

“Ekipi i televizioni “Shenja” vendosi që përsëri të inspektojë punimet në Zonën Ekonomike të Tetovës, në të cilën për momentin ekziston vetëm gurthemeli i një kompanie të huaj, dhe deri më tani janë hapur zero vende të reja të punës”

Zona e lirë ekonomike në Tetovë është themeluar në vitin 2010. Realizimi i këtij premtimi parazgjedhor të BDI-së është përcjellë me shumë probleme që kanë shkaktuar dështimin e dy tenderëve për zgjidhjen e firmës që do të menaxhonte me zonën. Dy herë janë vendosur gurthemele nga Qeveria dhe njëherë nga firma norvegjeze në vitin 2013 e cila tashmë kishte marrë përsipër menaxhimin me zonën. Adresën e Tetovës Qeveria deri më tani ua ka dhënë vetëm katër investitorëve ndërsa në pjesët e tjera të banuara me shumicë të etnitetit maqedonas vazhdimisht paralajmërohen dhe ndërtohen objekte që hapin vende të reja të punës./shenja