Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në prag të mbajtjes së takimit në Uashington, ka ftuar liderët politik në një takim të përbashkët.

Këtë e bëri të ditur Hoti në një postim në Facebook.

“Me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik të vendit, në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe në vigjilje të vizitës në Uashington, i ftova liderët partiakë për një takim të përbashkët të Forumit të liderëve, i cili do të mbahet nesër në orën 11:00 në Zyrën e Kryeministrit!”, ka shkruar Hoti.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell njoftoi se pala kosovare dhe ajo serbe do të zhvillojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 27 qershor 2020.

Ndërkaq, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i cili po qëndron në Kosovë, dje pas takimit me krerët e shtetit deklaroi se Bashkimi Evropian është i angazhuar që sa më shpejt të rinis dialogu.

Lajçak shtoi më tej se bashkëpunimi me SHBA-në do të vazhdojë.

“Ne gjithmonë kemi bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të dhe gjithçka që është arritur deri më tani është arritur vetëm në saje të këtij bashkëpunimi. Ky bashkëpunim do të vazhdojë”, tha ai.