I dërguari i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak një ditë më parë u takua me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, kryeparlamentaren Vjosa Osmani dhe kryeministrin Avdullah Hoti.

Ndonëse Thaçi kishte shprehur haptas dilemën për takimin me Lajçak, ishte i pari që e takoi nga krerët e shtetit, ndërsa kryeministri Hoti u shpreh se është i kënaqur me mesazhet që Lajçak ka përcjellë dhe se do të takohet sërish me të për biseduar për çështjet teknike rreth dialogut.

Lajçak pas takimit me presidentin Thaçi tha se Bashkimi Evropian është i angazhuar që sa më shpejt të rinisë dialogu. Ai tha se dëshirojnë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mandati im është shumë i qartë, të ndihmoj në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese mes Kosovë dhe Serbisë që do të normalizojë marrëdhëniet dhe do të zgjidhë të gjitha problemet dhe do të jetë e pranueshme për vendet e rajonit dhe vendet anëtare të BE-së. Gjithashtu është e rëndësishme që ky proces i filluar në vitin 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian të përfundojë me një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet midis dy vendeve”, tha ai, duke shtuar se bashkëpunimi me SHBA-në do të vazhdojë.

“Ne gjithmonë kemi ngushtë me SHBA-të dhe gjithçka që është arritur deri më tani është arritur vetëm në saje të këtij bashkëpunimi. Ky bashkëpunim do të vazhdojë”, tha ai.

Lajçak ka thënë se do të vazhdojë të komunikojë me presidentin Thaçi dhe liderët tjerë politikë në Kosovë.

Ai po ashtu ka njoftuar se do të vazhdojë vizitën e tij edhe në Beograd, ku do të takohet me liderët politikë për të biseduar rreth rifillimit të dialogut.