Organizata e Kombeve të Bashkuara e renditi Shqipërinë në grupin e dhjetë vendeve që ka pësuar plakjen më të shpejtë të popullsisë gjatë periudhës 2000-2011, në Raportin e Plakjes Globale 2017. Faktorët e keqkombinuar nga emigracioni dhe rënia e lindjeve bashkë me indiferentizmin për të përballur pasojat, do ta bëjnë të vështirë tranzicionin e popullatës.

Disa sektorë si bujqësia dhe fasoni kanë nisur të vuajnë mungesën e krahut të punës, ndërkohë që popullsia e vendit është futur në një proces të shpejtë plakje. Divizioni i popullsisë në Kombet e Bashkuara e renditi Shqipërinë si një ndër dhjetë vendet me procesin më të shpejtë të plakjes së popullsisë gjatë periudhës 2000-2011. Numri i të moshuarve mbi 60 vjeç është shtuar me 7.3% në këtë periudhë. Shqipëria renditet e teta në botë pas SHBA-së, Japonisë, Guadalupe, Maltës, Martinique, Koresë së Jugut dhe Curaçaos për plakjen e shpejtë në rang global në vitet në vijim.

Në vitin 2017, shqiptarët mbi 60 vjeç këtë vit ishin 93 mijë më shumë në numër se në vitin 2011 kur u bë Censusi i fundit. Kjo grupmoshë tani zë 19% të gjithë totalit të popullsisë nga 15.4% që ishte në vitin 2011. Në vitin 2030, sipas projeksionit të Kombeve të Bashkuara, popullsia mbi 60 vjeç do të jetë 26.6% të totalit të popullsisë sipas projeksioneve normale, pa goditje të forta të emigracionit.

Në disa vende në zhvillim, ndër to edhe Shqipëria, popullsia po plaket me shpejtësi me ritme më të shpejta se sa kishte ndodhur në vendet e tjera të zhvilluara. Për shembull, në Francë, plakja e popullsisë kërkoi 115 vjet, në Suedi 85 vjet, Australi 73 vjet dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës 45 vjet. Në këto vende, gjatë këtyre viteve, popullsia mbi 60 vjeç u rrit nga 7 në 14%.

Faktorë të kombinuar keq

Ndërsa rënia e pjellorisë dhe rritja e jetëgjatësisë janë nxitësit kryesorë të plakjes së popullsisë globalisht, migrimi ndërkombëtar ka kontribuar gjithashtu në ndryshimin e strukturave të moshës së popullsisë në Shqipëri, thotë raporti i OKB-së. Por gjithashtu migracioni ndërkombëtar mund të ngadalësojë procesin e plakjes në vendet që po përjetojnë flukse të mëdha të pritjes së emigrantëve, pasi emigrantët kanë tendencë të jenë në moshë pune.

Por ndërkohë, Shqipëria po përjeton njëkohësisht edhe plakje të popullsisë, edhe rritje të nivelit të emigracionit, teksa nuk ka politika për stimulimin e lindjes, as për frenimin dhe ikjen jashtë, teksa nuk bëhet fjalë për stimulimin e pritjes së të huajve si emigrantë. Një hartë e publikuar nga OKB së fundmi tregonte se në vitin 2015, rreth 1.12 milionë shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar, 10 mijë.

Sipas Censusit të fundit të INSTAT (2011), rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë tashmë 40% të atyre që banojnë në vend. Ritmet e rritjes së popullsisë janë shumë të ulëta, për shkak të rritjes së moshës mesatare (që ka arritur rreth 37 vjeç) dhe përshpejtimit të emigracionit, sidomos vitin e fundit.

Emigracioni i forcës së kualifikuar të punës ka ndikuar shumë negativisht në rritjen e ekonomisë së vendit. Një studim i Departamentit të Europës në FMN, ka gjetur se gjatë periudhës 1995-2012, emigracioni ka pasur efekt negativ me 18% në PBB e vendit. Kjo humbje ishte më e larta se në vendet e tjera të rajonit, me shkak emigracionin. Dëmi më i madh, sipas FMN, është krijuar nga emigrimi i forcës së kualifikuar të punës. Humbjet më të larta në PBB, me rreth 16%, i ka krijuar ikja nga vendi i forcës së kualifikuar të punës, në raport me emigrantët që kanë pasur aftësi të ulëta.

Drejt “shuarjes”

Sipas projeksioneve të OKB-së, shekulli në të cilin jetojmë do të mbyllet me rezultate fatale të popullsisë së vendit, sipas projeksioneve të reja të Departamentit të Popullsisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, të publikuara në faqen zyrtare të këtij institucioni ndërkombëtar. Duke marrë në konsideratë ecurinë e popullsisë vetëm në normat bruto të lindjeve (norma e fertilitetit) sipas të gjithë skenarëve, Shqipëria do të ketë ulje të popullsisë së saj.

Varianti pesimist parashikon që në vitin në 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist që parashikon emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit deri në vitin 2100 të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka rishikuar me përkeqësim treguesit e popullsisë së Shqipërisë për këtë vit në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2017, OKB parashikoi që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë 1,754,540 banorë, me një rënie prej 1.2 milionë personash nga popullsia aktuale (2.9 milionë) sipas portalit të OKB, ndërsa sipas projeksioneve të rishikuara të këtij viti, popullsia e Shqipërisë në vitin 2100 do të jetë 1,6 milionë banorë ose 100 mijë pak se projeksionet e vitit të kaluar.