Lokacioni pranë poliklinikës së Bit Pazarit që duhej të ishte një hapësirë e vogël e gjelbëruar, pjesërisht është uzurpuar, e pjesërisht është shndërruar në një parking të egër.

 

Kjo gjendje, jo vetëm që është jashtë çdo norme ligjore, por edhe u shkakton probleme banorëve të ndërtesës përballë. Ata shprehen tejet të revoltuar, por shumica prej tyre hezitojnë të flasin para kamerës së televizionit Shenja. Në mungesë të intervenimit institucional, banorët thonë se shpeshherë u bie të fjalosen me personat që parkohen dhe me ata që lejojnë parkimin e veturave në këtë lokacion.

Banorët sqarojnë se janë ankuar deri tek Komuna e Çairit, prej nga ju kanë thënë se lokacioni në fjalë është nën kompetencat e Qytetit të Shkupit. Ankesën e njëjtë e kanë dorëzuar edhe Qyteti i Shkupit, por as kjo nuk ka pasur ndonjë rezultat. Duke mos pasur zgjidhje tjetër, ata ankesat i kanë drejtuar tek televizioni Shenja.

Televizioni Shenja ka kontaktuar Komunën e Çairit, dhe Qytetin e Shkupit, për të kërkuar sqarim se kush është kompetent për këtë lokacion dhe pse nuk është ndërmarrë asgjë për të mënjanuar parkingun e egër. Deri më tani, nuk ka ndonjë përgjigje./Telegrafi/