Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë u miratua projektligji për ratifikimin e Traktatit të Parisit dhe për Marrëveshjen për bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë dhe Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Herzegovinës në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi pas votimit ndërpreu seancën dhe njoftoi se Kuvendi do të vazhdojë të punojë nesër në orën 11:00.

Xhaferi më parë falënderoi publikisht deputetët nga VMRO-DPMNE dhe Lëvizja BESA për kooperimin e treguar dhe mundësimin e punës dhe vendimmarrjes.

Të dy këto projektligje i shpjegoi para deputetëve, ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Dimitrov. Ai nëshpjegimin e propozimit për ratifikimin e Traktatit të Parisit, tha se kjo është marrëveshja e parë universale dhe ligjore e përkushtuar ndaj përpjekjeve globale për të reduktuar ndryshimet klimatike.

“Traktati i Parisit u miratua në seancën e 21 të Konventës kornizë të Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike. Të cilën e ka nënshkruar edhe Republika e Maqedonisë, më 22 prill 2016. Deri në korrik të këtij viti, 151 vende nga gjithesjt 197 e kanë ratifikuar”, tha Dimitrov.

Dimitrov, në shpjegimin e marrëveshjes me BiH, tha se kjo ishte bazuar në interesin strategjik të dy vendeve miqësore për anëtarësimin në BE.

Marrëveshja u nënshkrua më 20 prill të këtij viti. Ne në thelb pajtohemi për bashkëpunimin në fushën e dialogut politik, bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, lëvizjet e punës dhe të kapitalit, formimin dhe ofrimin e shërbimeve, harmonizimin e legjislacionit të BE-së, bashkëpunimin në gjyqësor dhe çështjet e brendshme, si dhe bashkëpunimin në fusha të tjera”, tha Dimitrov.