dr. Bekim Tateshi          

  Emisionet debative që ndoqëm javën e kaluar edhe më shumë nxorën në sipërfaqe të metat e sistemit politik që ka mbretëruar dy dekadat e fundit në këtë shtet të brishtë me krizën politike më të thellë ne regjion. Edhe kësaj radhe ishim dëshmitarë të një pozitë shqiptare anemike dhe e molisur nga situata e krijuar. Është e papranueshme tendenca për plasim të tezës se “kundërshtari” i koalicionit qeveritar është i vështirë dhe nuk ka disponim për të realizuar atë që u premtua në kampanjën parazgjedhore në vitin 2014, duke u munduar që ta justifikoj këtë fenomen të papranueshëm, që duke mveshur petkun e viktimës mundohet ta mbuloj krejt atë që pamë dhe një numër i madh edhe e përjetuan në lëkurën e vet. Shkojnë edhe më larg, funksionar i lartë i Komisionit Qendror Zgjedhor parregullsitë gjatë proçesit zgjedhor nuk i kategorizon si krim, por si mungesë e vullnetit për respektim të rregullave dhe ligjeve të aktorëve të kësaj përralle! Spin dhelparak!  

          E papranueshme, poashtu është edhe paraqitja e opozitës shqiptare parlamentare, e cila objektivisht poashtu mban faj të madh dhe përgjegjësi që në këtë periudhë nuk arriti të përmbysë oponentët politikë në disa cikle zgjedhore, kuptohet me mjete demokratike. Opozita parlamentare përsëri mundohet të paraqitet viktimë, por jo nga partia qeveritare e bllokut maqedon, por nga oponentët në bllokun shqiptar. Përsëri spin, por jo dhelparak, më shumë spin mbrojtës nga rezultatet që parashikohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Mënyra dhe stili i paraqitjes i pandryshuar me vite edhe më shumë e shton shansin për debakëll dhe loja pak ftohtë e pak nxehtë vështirëson bindjen e votuesit shqiptarë e sidomos atij të papërcaktuar.    

          Partitë politike shqiptare parlamentare janë duke vepruar sikur janë nën ndikimin e filmave amerikan ku prezentohen seancat e gjykimeve dhe mund të akuzosh palën tjetër për gjithçka, me bazë dhe pa bazë, me fakte dhe pa fakte duke krijuar bindje në opinion se më me rëndësi është të jesh kundër dikujt se sa të jesh për dikënd.

          Kjo paraqitje dhe sjellje në mediume dhe në jetën e përditshme të fytyrave të njohura politike dëshmon se ky sistem politik nuk i gjason demokracisë, asaj për të cilën kemi investuar shumë, shumë, bile dikush edhe më të shtrenjtën, jetën. Ky sistem mund të jetë një formë e shtrembëruar e demokracisë, e kështu, ti jap vetes liri dhe ta definoj si Demokraci Ballkanike, se gati e njëjtë me ndonjë modifikim të vogël mund ta gjejmë gati në çdo shtet të Ballkanit Perëndimor.

          Duke shfletuar literaturë hasa në terminin PARTIKRACIA që paraqet një formë të qeverisjes ku një apo më shumë parti politike dominojnë në proçeset politike në vend të qytetarit apo politikanëve individual. I pari që ka përdorur këtë definicion është politologu italian, Mauro Calise në vitin 1994.

          Paolo Flores d’Arcais, filozof italian, për politikën shkruan se dita-ditës po shëndrohet në aktivitet privat nga një grup njerëzish me interesa të ngushta personale duke e degjeneruar demokracinë parlamentare dhe duke e shkëputur sovranitetin e qytetarit dhe hapsirën publike të votuesit.

          Kina është shembull unikat ku me autokraci njëpartiake arriti ti përshtatet proçeseve të globalizimit. Sistem politik më i keq se ky mund të jetë demokracia njëpartiake apo partikracia. Ndoshta tingëllon shumë ironike por praktika dëshmon se ky fenomen edhe mund të vërtetohet. Gati në të gjitha shtetet ku paraqitet partikracia kemi sistem të dobët të arsimit, sepse politikat e arsimit nuk i krijon akademia e shkencave, por ministrat që janë figura politike dhe të politizuara. Politikat në shëndetësi nuk i harton psh. Oda e Mjekëve, por ministri partiak ,që në disa raste edhe nuk është mjek e as bashkëpunëtor mjekësor. Poashtu vlen edhe për sistemin e finansave, bujqësinë, drejtësinë etj. etj.  

          Na mbetet të shpresojmë se definitivisht do organizojmë zgjedhje demokratike, ku votuesit ti japim hapësirë që të zgjedh më të mirin që më mirë ti prezantoj dhe mbroj të drejtat e atyre që do ja besojnë shumë të vlefshmen, votën dhe të deinstalohet servilokracia dhe nepotizmi politik duke inkorporuar meritokracinë, duke krijuar garë fer për ta arritur pozitën adekuate në shoqëri, për krijuar të mira për vete, familjen, kombin dhe shtetin ku jeton.

/autori është udhëheqës i Departamentit të Shëndetësisë në LR-PDSH.