Fshirja e mbi 30 mijë shqiptarëve mërgimtar nga lista zgjedhore është skemë politike e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së por e mbështetur nga BDI dhe PDSH. Kështu vlerësojnë partitë opozitare shqiptare të cilat theksojnë se partitë shqiptare pjesëmarrëse në Përzhino duhet të mbajnë llogari për këtë dëm që u bëjnë shqiptarëve. Nga Lëvizja Besa, thonë se nuk do të ndalojnë me aktivitete derisa shqiptarët të kthehen në listë. Zëdhënësi Faton Fazliu thotë se me këtë BDI dhe PDSH dëshmuan se nuk kanë ndjenje shqiptarie dhe përgjegjësie politike.

“Nuk mund të mos lejojmë që të pyesim se si u zgjidh kriza politike në maqedoni se si u zgjidh kriza politike në Maqedoni atëherë kur shqiptarët e humbën të drejtën e votës. Nuk na habit fakti që këtë e lejuan partitë maqedonase VMRO dhe LSDM ajo që na habit dhe nuk mund të lejohet asersi se si lejuan partitë shqiptare, në këtë rast BDI dhe PDSH që të fshihen nga lista zgjedhore 30 mijë shqiptar”, tha zëdhënësi i Lëvizjes BESA, Faton Fazliu.

Nga LR-PDSH thonë se e drejta e votës është kategori kushtetuese. Nga departamenti për çështje juridike të LR-PDSH-së, Halil Fetai shkruan për TV SHENJA se anashkalimin e kësaj të drejte të qytetarëve e konsiderojnë si shkelje flagrante të Kushtetutës.

“BDI dhe PDSH janë pjesë e kësaj skemë për të fshirë nga lista zgjedhore rreth 30 mijë votues shqiptarë, për të cilën ne vlerësojmë se është një akt i ulët që kanë cënuar të drejtën e votës së qytetarëve shqiptarë, dhe ndërkohë u kanë bërë shërbim partive maqedonase. LR-PDSH ka reaguar ashpër ndaj këtij fenomeni, por edhe ka ngritur çështjen në fjalë deri në Gjykatën Kushtetuese, sepse privimi nga e drejta e votës do të thotë shkelje e rëndë e Kushtetutes se RM-së, dhe është e papranueshme për qytetarët shqiptarë”, tha Halil Fetai nga departamenti për çështje juridike në LR-PDSH.

Ndërsa nga UNITETI, nënkryetari Zylfi Adili thotë se me skadimin e afatit u fshinë nga lista me mijëra shqiptarë duke u shpallur “votues fiktivë” dhe “qytetarë fiktivë”, por se votuesit e vërtetë fiktivë mbetën në listë.

“Ata askush nuk i kontestoi. “Uniteti” mban qëndrim se nuk mund të ketë listë të besueshme zgjedhore, përderisa nuk ka regjistrim të besueshëm të popullsisë. Vendimet dhe marrëveshjet e subjekteve që më nuk e kanë besimin e qytetarëve shqiptarë janë në dëm të Shqiptarëve. Ky sistem i ka dëbuar shqiptarët nga të gjitha institucionet dhe kësaj radhe edhe nga e drejta e votës. Ata janë dëbuar edhe nga shteti për shkak të mungesës së kushteve për jetë dinjitoze”, tha nënkryetari i UNITETIT, Zylfi Adili.

Mbrëm në ora 24 : 00 përfundoi edhe afati i fundit i paraqitjes përmes internetit të shqiptarëve mërgimtar të cilët dyshohen se janë të dyshimtë dhe atë nga katër liderët e partitë nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinos, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.