Partitë parlamentare janë të ndara mbi çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Shumica parlamentare duke u thirrur në Ligjin për Parlamentin dhe Rregulloren e punës së Kuvendit pretendon që Kuvendi të ketë pesë nënkryetar.

“Ne mbetemi në qëndrimin tonë se numri i përgjithshëm i nënkryetarëve, përfshi edhe atë që i takon opozitës më të madhe është 5 dhe presim që Kryetari i Kuvendit këtë çështje ta vendos në rend dite” deklaroi Tomisllav Tuntev, deputet i LSDM-së.

Në rast se Kuvendi zgjedh pesë nënkryetar, dy prej tyre duhet t’i takojnë opozitës. Njërin nga nënkryetarët e kërkon edhe Lëvizja Besa si parti e dytë opozitare.
“Ne si subjekt politik pretendojmë që njëri nga nënkryetarët të jetë i Lëvizjes Besa. Ka qenë çështje e bisedimeve por siç jeni të njoftuar pika që ka të bëj me zgjedhjen e nënkryetarëve është tërhequr nga rendi i ditës nga ana e Kryetarit të Kuvendi”|, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Por VMRO-DPMNE-ja pretendon se Kuvendi nuk duhet të harxhojë buxhet kot për nënkryetarët. Sipas partisë së Nikolla Gruevskit, shumica po tenton të vendosë pesë nënkryetar më qëllim plotësimin e nevojave ndaj partnerëve të koalicionit.
“Ne vlerësojmë se Kuvendit dhe vendet e nënkryetarëve nuk janë ulëse për kënaqjen e interesave të koalicionit. Duhet të bëhet kujdes dhe të veprohet në mënyrë racionale. Flasim për rishikimin e buxhetit. Shkurtohet nga arsimi, shkurtohet nga Shëndetësia dhe nuk ka nevojë të harxhohet për funksionar të shumtë në shtet”, u shpreh Antonio Milloshovski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi pikën për emërimin e zëvendësve të tij e hoqi nga rendi i ditës me qëllim tejkalimin sa më të shpejtë të seancave për shkarkimin e Kryeprokurorit Marko Zvërlevski dhe atë për rebalancin e buxhetit shtetëror. Xhaferi në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA është shprehur së çështja e nënkryetarëve është e rregulluar me Kushtetutë dhe se pika për zgjedhjen e tyre do të kthehet në rend dite pasi partitë e përbërjes parlamentare të gjejnë konsensus të përbashkët për numrin e nënkryetarëve. Në rast të zgjedhjes së nënkryetarëve, Kuvendit mund të punojë 24 orë sepse në këtë rast, Xhaferin mund ta zëvendësoj njëri nga nënkryetarët e tij. Alsat-M