Afati ligjor për të bërë një gjë të tillë, është i përkufizuar në 30 ditë, por siç duket shumica e partive politike, edhe pse afati ka skaduar, nuk e kanë ndërmend të merren me këtë çështje

Edhe pse në Maqedoni po bisedohet për zgjedhje të mu ndshme të reja parlamentare, gjurmët nga zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit 2016 ende vazhdojnë të mbeten në mjediset publike, shkruan gazeta KOHA.

Edhe pse procesi zgjedhor i zgjedhjeve të parakohshme Parlamentare ka më shumë se një muaj që ka përfunduar, gjurmët në vendet publike ende vazhdojnë të mbeten. Brenda mjediseve urbane ende vazhdojnë të qëndrojnë transparente me mbishkrime dhe materiale të tjera propagandistike të partive politike pjesëmarrëse në procesin e fundit zgjedhor.

Janë të pakta ato parti që kanë respektuar rregullat ligjore dhe pas procesit zgjedhor kanë mënjanuar materialet propagandistike të vendosura nëpër hapësira publike. Pamjet nga terreni flasin që pjesa dërmuese e materialeve propagandistike që akoma nuk janë tërhequr, u përkasin partive politike në pushtet.

Rast eklatant janë muret e objektit të ish shtëpisë tregtare në qendër të Gostivarit, si një nga pikat më frekuentuese të qytetit. Afati ligjor për të bërë një gjë të tillë, është i përkufizuar në 30 ditë, por siç duket shumica e partive politike, edhe pse afati ka skaduar, nuk e kanë ndërmend të merren me këtë çështje.

Kryesisht, materialet propagandistike vazhdojnë të qëndrojnë të vendosura në ato vende ku u vendosën gjatë kampanjës elektorale. Një pjesë e tyre është grisur dhe dëmtuar, ose si pasojë e kushteve atmosferike, ose si pasojë e veprimeve vandale të njerëzve nga partitë kundërshtare. Një realitet i tillë nëpër viset publike, thuajse përsëritet në çdo cikël zgjedhor.

Flamujt dhe transparentet partiake mbetet të vendosura në hapësira publike shumë më gjatë seç është afati ligjor, madje deri në vetasgjësimin e tyre nga kushtet atmosferike.

Krahas materialeve propagandistike zgjedhore, ajo që bie në sy është edhe shënimi i shumë mbishkrimeve në formë të grafikëve në për vendet publike, edhe këtë të motivuara politikisht. Krahas materialeve propagandistike të ngjitura në hapësira publike, edhe kompanitë e marketingut vazhdojnë të mbajnë në bilborde pamfletet e subjekteve politike.

Nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) qartësojnë se: “Ligji zgjedhor parasheh dënime për organizatorët e kampanjave, në qoftë se nuk shmangin materialet e vendosura nga ana e tyre një muaj ditë pas mbarimit të procesit zgjedhor”. “Çdo anashkalim dhe mosrespektim i kësaj norme ligjore, subjekteve politike mund tu kushtojë nga 500 deri 2000 euro gjobë”, thonë nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ).

Por nga gjendja që vërehet në terren, siç duket, partitë politike nuk frikohen nga ndërmarrja e masave të tilla ligjore që janë kompetencë e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Përfaqësues të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) bëjnë me dije se para skadimit të afatit ligjor, të gjitha subjektet pjesëmarrëse në procesin zgjedhor janë njoftuar me shkrim për obligimet që dalin nga ligji zgjedhor në drejtim të kësaj problematike. Njoftime janë përcjellë edhe deri te drejtuesit e pushteteve vendore./Koha/