Deklarata e Presidentit Ivanov për të përditshmen austriake “Wiener Zeitung” sipas partive shqiptare është nxitëse dhe nuk kontribuon marrëdhëniet ndëretnike. BDI-ja përgënjeshtroi Ivanovin i cili tha se një bisedë telefonike ka qenë shkaktari i mos-vazhdimit të qeverisjes me OBRM-PDUKM–BDI. Deklarata e Ivanovit për telefonatën e supozuar, sipas zëdhënësit të BDI-së Bujar Osmani, është shpifje e presidentit i cili është në mbrojtje të partisë së Gruevskit.

Edhe nga Lëvizja Besa intervistën e Ivanovit për të përditshmen austriake “Wiener Zeitung” e vlerësuan si nxitëse që nuk reflekton pozitivisht në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ndërsa për telefonatën e supozuar, Ibrahimi tha se nuk është për tu habitur nëse ndodh edhe një telefonatë tjetër e cila do të vazhdonte qeverisjen mes BDI-së dhe OBRM-PDUKM-së.

Ndërsa Aleanca për Shqiptarët vendosën mos të komentojnë paraqitjen e fundit të kreut të shtetit Ivanov. Sipas Aleancës deklaratat e Ivanovit nuk janë kredibile dhe në çdo paraqitje të tij ai më tepër përkeqëson situatën politike në Maqedoni.

“Deklaratat e të a.q. president nuk janë kredibile dhe nuk shkojnë në favor të zgjidhjes së krizës politike. Fatkeqësisht, çdo paraqitje e tij është në shërbim të përkeqësimit të situatës”, thonë për Alsat-M nga Aleanca për Shqiptarët.

Ivanovi nuk e përjashtoi as mundësinë e arrestimit të liderit opozitar lidhur me sigurimin e bisedave të përgjuara telefonike ndërsa kritikoi edhe qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare për mos-dënimin e deklaratës së partive politike shqiptare.