Kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski kanë arritur marrëveshje sonte për Komisionin Shtetëror  Zgjedhor (KSHZ), ndërsa kanë biseduar edhe për bisedimet për çështjen e emrit si dhe për Ligjin e gjuhëve.

Mickoski pas takimit tha se janë marrë vesh që VMRO-DPMNE të marrë vendin e kryetarit të KSHZ. “Me kryeministrin Zaev jemi dakorduar që KSHZ duhet të kompletohet. Kjo do të bëhet sipas modelit të vjetër, ashtu që kryetari i KSHZ do të jetë nga opozita, derisa shumica e anëtarëve do ti takojë pushtetit”, theksoi Mickoski.

Sipas tij, në këtë takim është bërë fjalë edhe për emrin, ashtu që Mickoski tha se ka shprehur qëndrimin e njohur se VMRO-DPMNE nuk do të përkrahë ndryshimin e Kushtetutës për ndryshimin e emrit. Ai gjithashtu shtoi se është biseduar për Ligjin për gjuhët, por megjithatë nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët.