Lëvizja BESA, dega në Gostivar shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe bashkëndjen me familjen Miftari nga fshati Simnicë të cilët humbën dy anëtarë të familjes brenda dy ditëve. Rrethanat që quan në humbjen e jetës së dy anëtarëve të kësaj familje, prindit dhe të birit, na çojnë që përtej dhembjes të shprehim edhe shqetësimin me organet kompetente. Për më tepër, janë të dyshimta dhe kontradiktore edhe informatat e organeve zyrtare të cilat e bëjnë akoma më të dyshimtë dhe më të ndjeshëm këtë rast tragjik.

Derisa organet kompetente deklarojnë se e kanë gjendjen nën kontrollë, ata nuk janë në gjendje të sqarojnë se si ndodhi që dy familjarë të humbin jetën brenda 48 orësh dhe mos të jenë në gjendje të tregojnë shkaktarët. Sidomos kur aspak nuk jepet llogari për përgjegjësinë që bart personeli i spitalit në Gostivar si dhe nuk sqarohet nëse ekzistojnë kushtet minimale për trajtimin e këtij ineksioni që gradualisht po merr përmasa epidemie nëse i referohemi pacientëve që çdo ditë e më shumë po drejtohen për ndihmë me të njëjtat simptome. Dyshimet tona forcohen kur në klinikën infektive sa vijnë e shtohen raste të tilla. Pothuajse ekziston terr informativ nga institucionet përgjegjëse lidhur me atë se sa është i rrezikuar rajoni dhe cilat janë mundësitë e përhapjes së këtij infeksioni që institucionet dështuan të intervenojnë suksesshëm duke rezultuar, fatkeqësisht, me humbjen e dy jetëve.

Lëvizja BESA dega në Gostivar kërkon përgjegjësi dhe raport të detajuar nga institucionet përkatëse. Gjykojmë se nuk është aspak serioze që i tërë rasti të përkufizohet me dy – tre fjali që ministri i shëndetësisë i thash përmes një videoje në rrjetin e tij social nga ShBA-të derisa dy bashkëqytetarë tanë e humbën jetën, ndërsa të tjerë vazhdojnë të hospitalizohen nga kjo sëmundje e pasqaruar deri më tani.