“Nga dita e sotme, ka filluar ndalesa për transportin komunal këtu në Pollog. Por, megjithatë, siç e shihni, kjo ndalesë nuk respektohet sa duhet dhe transporti ndër-komunal vazhdon të zhvillohet”.

Në këto furgona ku transportohen të paktën 8 persona, shumica e udhëtarëve janë pa maska, ndërsa mbajtja e distancës brenda është e pamundur. Udhëtarët madje arsyetojnë mos mbajtjen e maskave me shëndetin e potë të tyre.

“Nuk kemi frikë se nuk jemi të sëmurë. Derisa e di vetën të sigurt nuk kam frikë dhe s`kam çka me u mbrojt. Në vendin ku isha pata maskën dhe ja e kam me vete”.

“I sëmurë nuk jam, nuk kam qenë në jetën time asnjëherë i sëmurë, por ja, tani më kanë detyruar ta ve maskën. Maska nuk është e keqe e mirë është mbrohesh nga çdokush. Krejt për një duhet të mbajnë maska”.

Shoferët e furgonëve ndërkaq thonë se kanë njohuri se nga sot ka hyrë në fuqi ndalesa për transport të udhëtarëve, megjithatë arsyetohen me nevojën për të siguruar bukën e gojës.

“Si do jetojmë ne. Duam të hamë bukë, fëmijët bukë kërkojnë, nuk kemi zgjidhje edhe ne. Nuk dimë edhe ne si t`ia bëjmë, shtëpia do për ditë, kërkojnë bukë atje”.

Nga ana tjetër, nga sektori i Punëve të Brendshme të Tetovës porosisin që masa e caktuar për ndalesë të transportit publik dhe privat të respektohet, sepse në të kundërtën, transportuesit do të përballen me masat ligjore.

Janë ndërmarrë masat dhe aktivitetet me qëllim që të parandalohet hyrja nga komunat dhe qytetet tjera të automjeteve që kryejnë transport publik. Pritet sot të vij vendimi i ministrisë së Drejtësisë se cilat janë ato masa shtesë që do ndërmerren ndaj këtyre kundërvajtësve apo shkelësve – deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Nga dita e sotme, po ashtu qytetarët e Tetovës janë të obliguar që gjatë daljeve nga shtëpitë e tyre në mënyrë obligative të mbajnë maska mbrojtëse, sidomos punonjësit e tregut por edhe vizitorët, por nga pamjet që ju sjellim në vazhdim, shihet se, edhe kjo masë nuk respektohet sa duhet./Alsat/