Zyra e shtypit e presidentit ka konfirmuar se Donald Trump aktualisht është në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti i SHBA-së po rehabilitohet në shtëpi pasi ishte infektuar me coronavirus, por thuhet se kishte kërkuar të kthehet në hapësirat e punës.

Nuk dihet ende se sa planifikon të qëndrojë atje, por një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë u tha gazetarëve se presidenti po informohet rreth gjendjes me pandeminë dhe Uraganin Delta, i cili ka zbarkuar në Meksikë, raporton CNN.

Kritikët e akuzuan atë se këtë po e bën vetëm sa për imazh dhe se nuk po tregohet serioz me pandeminë.

Presidenti ka qenë i etur t’i tregojë kombit se nuk është plotësisht jashtë veprimit dhe kjo mund të jetë e vërtetë gjersa vëmendja kthehet në debatin e sotëm mes kandidatëve për nënpresident të SHBA-ve.