Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi për sot paralajmëroi shpalljen e listës për deputetë për zgjedhjet e 11 dhjetorit.

“Deputetët e përbërjes në largim e kanë kryer punën e tyre me sukses, por kjo nuk do të thotë se ata përsëri do të kandidojnë. Megjithate, PDSH, do ta shpallë e para listën e kandidatëve të mundshëm për deputet për zgjedhjet e 11 dhjetorit, dhe kjo do të bëhet në mbledhjen e Kuvendit Qëndror të PDSH-së që mbahet të dielën në Tetovë”, theksoi Thaçi gjatë një takimi me strukturat partiake dhe simpatizantët e PDSH në Strugë.

Thaçi ka informuar për situatën e përgjithshme dhe pozitën aktuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe të gjitha problematikat tjera. Në këtë kontekst, ai edhe ka ofruar zgjidhjen e çështjeve që tangojnë më së shumti shqiptarët, duke filluar nga ndarja e buxhetit, subvencioneve të ndryshme, duke shtruar si mundësi për realizimin e këtyre çështjeve me marrjen e pozitës së zëvëndëskryeministrit të Qeverisë nga lideri i partisë.

Për sa i përket bashkëpunimit dhe koalicionimit eventual me partitë opozitare, ai ka përmendur edhe takimet e zhvilluara në nivel më të ulët me partitë opozitare por tani për tani nuk është arritur ndonjë marrëveshke konkrete, duke lënë mundësinë e bashkëpunimit dhe koalicionimit edhe paszgjedhor./INA