Arratisja e Gruevskit për momentin nuk e pengon procesin e anëtarësimit të vendit në NATO për në të ardhmen do të paraqesë një sfidë për të cilën do të duhet të japin sqarim edhe Maqedonia por edhe vendet anëtare nëpër të cilat ai ka kaluar, thotë koordinatori nacional për anëtarësim në NATO Stevo Pendarovski. Në një intervistë për Alsat, Pendarovski thotë se bisedimet qasëse me NATO-n kanë përfunduar dhe vendet anëtare nuk kanë kushte të tjera për anëtarësimin e Maqedonisë, përveç zbatimit të Marrëveshjes së Prespës.

Pendarovski, afrohet afati që Maqedonia të plotësojë kushtet për anëtarësim në NATO, gjegjësisht zbatim të Marrëveshjes së Prespës. Nga kontaktet tuaja me përfaqësues të NATO-s, deri ku është ky proces dhe si janë vlerësimet e tyre për zhvillimet në Maqedoni?

Negociatat ose bisedime qasës për hyrje në NATO praktikisht ne i kemi përfunduar. Sesionet kryesore janë mbajtur në 18 dhe 19 tetor. Për dy ditë kemi pasur 7 sesione tematike për çështje të ndryshme që janë me interes për NATO-n nga ata teknike ushtarake deri te resurset. Ata i përfunduam dhe morëm përgjegjësi ne si ekip negociues në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë se në periudhën e ardhshme këtë ta realizojmë edhe formalisht dhe praktikisht. Siç thash, kjo punë ka përfunduar në aspektin formal. Në këto negociata ose bisedime, siç është emërimi zyrtar, nuk ka pasur çështje të cilat mund të na pengojnë. Asnjë vend anëtar, përsëris, asnjë vend anëtar nuk ka parashtruar ndonjë çështje për të thënë se nëse këtë nuk e plotësoni nuk mund të jeni anëtare. Për këtë, bisedimet kanë përfunduar me sukses dhe ky është konstatim i tyre të cilin na e kumtuan në fund të ditës së dytë. Ajo që tani na pret, në 6 dhjetor, duhet përsëri Komiteti i punës të shkojë në Bruksel ku në përfaqësinë e NATO-s do të ketë takim me zv/shefat e misioneve të të gjithë vendeve anëtare në të ashtuquajturin format 29, plus 1 anëtarë, plus vendin kandidat Maqedoninë. Do ta prezantojmë programin për vazhdimin e reformave. D.m.th bisedimet për pranim praktikisht përfunduan megjithatë NATO dëshiron të dijë çfarë do të punojmë edhe në periudhën e ardhshme. NATO thotë ne duam të dimë se a do të punojmë në vazhdimësi edhe për të gjithë çështjet e tjera, përveç këtij kushtit politik, siç i ka hije një vendi anëtar, sepse edhe po të shkojë gjithçka në mënyrë ideale, ne nuk do të bëhemi anëtar i plotfuqishëm para trevjetorit të parë të vitit 2020.

A paraqet zbatimi i Marrëveshjes së Prespës sfidë reale për Maqedoninë duke pasur parasysh se tashmë po afrohet afati për përmbyllje të këtij procesi?

Ishte inkurajim i madh dhe shtysë për të gjithë procesin fakti që kishim 2/3 ose 80 vota për fillim të ndryshimeve të kushtetutës dhe kuptohet të gjithë në NATO nga sekretari gjeneral dhe deri te personi i fundit në Aleancë presin të përfundojë në të tre fazat votimi i me numrat e nevojshëm që të mund të thuhet se ajo marrëveshje është zbatuar vërtetë. Të mos gënjehemi. Më pyesin se si kaluat në këtë pjesë të bisedimeve. Them shkëlqyeshëm dhe me gjasë më mirë në historinë e bisedimeve me Aleancën. Pse? Sepse ne jemi kandidat më afatgjatë, që nga ’99 jemi formalisht kandidat. Dy dekada jemi kandidat dhe jemi përgatitur për këtë. Megjithatë ky është parakushti bazë se a do të hymë si anëtare në NATO ose jo dhe në këtë pjesë duhet që deputetët në Kuvend atë ta përpunojnë. Faza e parë na inkurajoi shumë të gjithë neve në Maqedoni që duam ta shohim vendin si anëtare në ata dy asociacione që janë qëllimi jonë strategjik dhe unë pres që deri në fund ky proces do të shkojë siç duhet.

Sa janë reformat e tjera të cilat i ka filluar vendi, kusht real për anëtarësim në NATO?

Në këtë pjesë, përveç Marrëveshjes së Prespës unë nuk mund të shoh pengesë tjetër dhe kuptohet pas kësaj, kur të shkojmë drejt afatit të qershorit të Këshillit të Evropës, që vitin e kaluar na e caktuan si afat kohor kur duhet të deklarojnë datë për bisedime me BE-në, atëherë kuptohet edhe çështje të tjera do të vinë në rend dite. I dimë se cilat janë ata si fusha, i përsërisim në vazhdimësi me vite që nga gjyqësori, reformat në administratë, reformat në sistemin e kundërzbulimit dhe sigurisë. Dikush do të pyes a është kjo çështja e fundit si pengesë. Nga NATO ishin të kënaqur që e ndamë Agjencinë Teknike Operative nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe që gjatë këtij muaji do të publikohet edhe modeli në bazë të të cilit në mënyrë plotësuese do të reformohen shërbimet e sigurisë dhe kundërzbulimit në Maqedoni. Në këtë fazë, kjo për NATO-n është e mjaftueshme. Për Bashkimin Evropian do të na duhet edhe më shumë megjithatë këtë si shtet duhet ta mënojmë kur të vijë kohë pas shkurtit, marsit për t’u marrë me ata reforma për në BE. Për në NATO, asgjë më shumë.

Kur jemi te reformat e tjera, konkretisht reformat në gjyqësor, ditëve të fundit, raste të ndryshime gjyqësore kanë marrë vëmendjen e opinionit, përfshirë këtu edhe rastin me arratisjen e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Sa mund të ndikojë ky rast negativisht në anëtarësimin e vendit dhe cili mund të jetë roli i vendeve anëtare të NATO-s mbi Maqedoninë por edhe mbi vendet tjera nëpër të cilat ka kaluar ish kryeministri?

Ditëve të fundit unë i dëgjoj këto komente dhe parashikime që ndoshta kjo do të mund të ndikojë edhe në raportin ose rrugën tonë drejt NATO-s meqë kjo arratisje e ish kryeministrit është e lidhur me territoret e disa vendeve anëtare të NATO-s dhe përgjithësisht a ka ndonjë lëshim sa i takon shërbimeve dhe institucioneve tona, rreth trajtimit të këtij personi të gjykuar i cili duhej të fillonte të vuajë dënimin me burg. Pardje kemi pasur takim për atë se çfarë po ndodh dhe cili është statusi jonë në raport me NATO-n, me të gjithë ambasadorët e vendeve anëtare, në Shkup, unë bashkë me ministren e Mbrojtjes dhe ministrin e Jashtëm, dhe asnjëri prej tyre këtë gjë nuk e paraqiti si pengesë për anëtarësimin në NATO. Kjo nuk do të thotë se në ndonjë takim të ardhshëm që do të ketë të bëjë me integrimin në BE kjo gjë nuk do të paraqitet si problem ose si çështje të cilën do të duhet ta ndryshojmë. Të përsëris, sa i takon NATO-s ka dy shtylla, bisedimet qasëse kanë përfunduar në mënyrë të suksesshme dhe shtylla e dytë më e rëndësishme dhe politike është Marrëveshja e Prespës. Nëse këto zbatohen, sipas vlerësimeve tona, vendet anëtare në një, dy ose tre muajt e ardhshëm, deri sa nuk e përmbyllim procesin kushtetues, nuk do të prekin çështje të tjera. Vlerësimi im është që sigurisht do të interesohen për kapacitetet dhe vitalitetin e sistemit gjyqësor në përgjithësi por edhe për institucione të tjera në rast se deri në fund vërtetohet se ish kryeministri ka pasur sukses që në vend se të shkojë në burg siç prisnim të gjithë, ta lëshojë vendin dhe të kalojë praktikisht përmes gjysmës së kontinentit dhe të përfundojë në vend anëtar edhe të NATO-s por edhe të BE-së. Nëse në mënyrë plotësuese vërtetohet se për këtë e kanë ndihmuar persona me status diplomatik, ose se është dërguar nga njëri kufijë në tjetrin dhe në të tretin, me vetura diplomatike, kjo do të ishte kompleks tjetër pyetjesh që do të duhet edhe ne, por edhe vende të tjera të rajonit, t’u japin përgjigje.