Një ndër pikat në ta cilat vuri theksin presidenti i vendit gjatë fjalimit vjetor ishte edhe gjyqësori. Ai me këtë rast u shpreh se reformat në gjyqësor janë të domosdoshme dhe mënyra e vetme për të kthyer besimin e qytetarëve në Institucionet e shtetit, në të kundërtën tha Pendarovski, jemi dëshmitarë se qytetarët po na ikin nga vendi dhe po shkojnë në vende ku drejtësia funksionon dhe ku ligji është i barabartë për të gjithë
Shkup, 22 dhjetor – Joselektivitet gjatë sundimit të së drejtës dhe përgjegjësia është mënyra më e mirë që ta tejkalojmë apatinë shoqërore e cila po përhapet, si dhe zhgënjimin, sidomos midis më të rinjve të cilët nuk besojnë se në këtë shtet mund të ketë ndonjëherë drejtësi. Shumë hulumtime pohojnë se emigrimi i bashkëqytetarëve tanë, në një masë të madhe, nuk shkaktohet vetëm për arsye ekzistenciale, por edhe nga cilësia e jetesës, theksoi presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e sotëm vjetor në Parlamenti në të cilin marrin pjesë Kryeparlamentari Talat Xhaferi, kryeministri Zora Zaev, deputetë, ministra ndërsa e ndjekin edhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe mediat. Me fjalë të tjera, siç tha shefi i shtetit, njerëzit shkojnë në ato shtete ku ka drejtësi, aty ku edhe më të pasurit edhe më të fuqishmit përgjigjen për shkeljen e ligjeve. “Reformat në sferën e sundimit të së drejtës janë prioriteti më i rëndësishëm i shtetit dhe sipas vlerësimit tim ato do të jenë, dhe duhet të jenë edhe në vitet që janë para nesh, krejtësisht të pavarura nga tempi ynë i afrimit drejt Brukselit. Edhe përkrah përparimit të caktuar, të konstatuar në Raportin e fundit të Komisionit Evropian, mbetet obligimi ynë i vjetër, të cilin jo rrallë nuk e respektojmë, reformat t’i zbatojmë në praktikë deri në fund”, potencoi Pendarovski. Sipas tij, aspekti më i rëndësishëm në ndërtimin e shtetit ligjor funksional është barazia para ligjit, gjegjësisht, joselektiviteti në drejtësi. “Me ligjet që i miratojmë nuk duhet në asnjë mënyrë t’i privilegjojmë ata të cilët nuk e respektojnë rendin, përkundrejt atyre që e respektojnë atë. Dëshpëron veçanërisht fakti se, për fat të keq, të gjitha hulumtimet relevante të mendimit publik e dëshmojnë ndjenjën, në zmadhim, të qytetarëve se në shtet sundon kultura e mosdënimit. Mënyra e vetme që ta kthejmë besimin tek institucionet është të kemi përfundim juridik për çdo rast ku ekziston dyshim për kryerjen e veprave penale”, theksoi Pendarovski. Në këtë kontekst shtoi se tragjedia e madhe me autobus ku humbën jetën 45 qytetarët tanë është vetëm rasti i fundit në vargun e rasteve të tilla. “Nëse ky rast, si edhe rastet e mëparshme nuk marrin përfundim gjyqësor në një afat të arsyeshëm, mosbesimi i qytetarëve vetëm do të rritet. Shoqëria me tendenca të tilla është një truall pjellor i dukurisë së liderëve autoritarë dhe populistë të cilët në vend të procesit cilësor premtojnë drejtësi ‘të shpejtë dhe efikase’”, tha Pendarovski.
Shefi i shtetit, deputetëve gjithashtu theksoi se investimet në mbrojtje dhe siguri duhet të vazhdojnë, pasi që siç shtoi ai, janë bazë për funksionimin e shoqërisë. “Anëtarësimi në NATO na ndihmon të përballemi më mirë me kërcënimet e vjetra dhe të reja të sigurisë. Edhe pse kriza shëndetësore dhe energjetike po shtyjnë për një plan tjetër të prioriteteve buxhetore, ne duhet të mbetemi të përkushtuar për investime në mbrojtje dhe siguri sepse ato janë bazë për funksionimin e të gjithë sektorëve të tjerë”, tha mes tjerash Pendarovski.
Në fillim të fjalimit Pendarovski u bëri thirrje të pranishmëve t’i nderojnë me një minutë heshtje bashkëqytetarët tanë të cilët e humbën jetën në aksidentin në Bullgari, në zjarrin në spitalin modular në Tetovë dhe të gjithë ata të cilët këtë vit vdiqën nga virusi korona.