Ministri në largim i Shëndetësisë, Venko Filipçe, pas pyetjes së gazetarëve se me cilin projekt ndihet më shumë krenari, theksoi se është krenarë posaçërisht për frymën ekipore që çoi në përfundimin me sukses të shumë projekteve në sektorin e shëndetësisë, transmeton TV21.

“Jam krenar për të gjitha proceset që kanë ndodhur në mënyrë gjithëpërfshirëse. Jam vërtet krenar për ndihmën e madhe të kryeministrit Zaev që kemi intervenuar për rritjen e të ardhurave të punëtorëve shëndetësorë. Jam krenar që asnjë pacient me një sëmundje të rrallë nuk mbeti pa ilaçe”, tha Filipçe.

Mes tjerash, ministri Filipçe tha se i vjen keq që nuk kanë mundur ta bëjnë projektin për Qendrën e re Klinike.

“Mjekësia moderne nënkupton një infrastrukturë të re. Disa nga pajisjet më moderne thjesht nuk mund të futen në sallat e vogla të operacionit. I bëj thirrje opozitës që të zhbllokojë këtë ligj i cili është i shkëlqyer dhe sigurisht në drejtim të së mirës së qytetarëve”, u shpreh Filipçe.