Ka filluar seanca e Gjykatës Kushtetuese nga e cila do të varet fati i referendumit për Marrëveshjen me Greqinë që duhet të mbahet me 30 shtator, transmeton Portalb.mk.

Për gjykatësen kushtetuese, Elena Gosheva, vendimi për referendumin është jo-kushtetues, propozon të ndalohen të gjitha aktivitetet dhe Gjykata Kushtetuese të ngrit procedurë. Ajo është gjykatëse raportuese për iniciativën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit kuvendor për shpalljen e referendumit, të dorëzuar nga partia “E Majta” dhe “Kongresi Botëror Maqedonas”, njofton Portalb.mk.

“Nga analizat vlerësoj se ka mangësi të veçanta juridike, gjë që është sipas Kushtetutës. Në vendim nuk është vendosur tërë emri i Marrëveshjes për Emrin, pyetja nuk është precize – është hutuese, e gabuar dhe e paqartë. Duhet që të jenë tre pyetje të veçanta, nuk janë përfshirë të gjitha elementet, marrëveshja është jo-kushtetuese, ndërkaq Ministria nuk ka mandat që të nënshkruajë marrëveshje të tilla”, ka sqaruar Gosheva.

Nga ana tjetër, gjykatësi kushtetuese Osman Kadriu ka thënë se vendimi është kushtetues.

“Vendimi nuk mundet që të thuhet se është i paligjshëm pasi që është miratuar me shumicë të votave në organet ligjvënëse”, tha gjykatësi Osman Kadri.

Sipas tij, referendume shtesë duhet të mbahen për anëtarësim në aleanca, dalje nga aleanca ose ndryshim të kufijve, por siç tha ai, BE nuk është aleancë, ndërkaq NATO është aleancë politike, shtetërore dhe ushtarake.

Gjykata mund ta pranojë ose ta hedhë iniciativën, ose ta shpall për jokompetent. Raportuese është gjykatësja Elena Gosheva dhe jozyrtarish, ajo në referendum propozon që Gjykata kushtetuese të fillojë procedurë për të rishkruar kushtetutshmërinë e vendimit.

Përndryshe, më 10 shtator zyrtarisht filloi fushata për referendumin, bartës i të cilës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Në fushatën e Kuvendit do të kyçen 71 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të partisë opozitare të VMRO-DPMNE-së.

Referendumi do të mbahet më 30 shtator, ku qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”.