Ministria e Ambientit Jetësor dhe Sektori Joqeveritar, me përfshirjen edhe të bizneseve vendore, në bashkëpunim me ekspertë europian, po përgatisin Ligj të ri për menaxhim me mbeturinat.
 
Ligji në fjalë dhe ndryshimet tjera ligjore në këtë sferë do të jenë në përputhje me direktivat e BE-së, prandaj në përgatitjen e tij do të kontribuojë edhe tuining projekti dyvjeçar i BE-së me ekspertë nga Britania dhe Spanja.
 
“Ekspertët tanë do të kryejnë trajnime të personelit tuaj dhe do të japin këshilla. Në 18 muajt e ardhshëm do të bashkëpunojmë me qëllim të harmonizimit të legjislativës së Maqedonisë me atë europiane në sferën e menaxhimit me mbeturinat”,- deklaroi këshilltari i tuining projektit, Gream Bërn. 
 
Me ndryshimet ligjore do të ndryshohet edhe rregullativa se kur mbeturina trajtohet si e tillë, e kur si lëndë për përpunim dhe kush duhet ta konfirmoj atë, thonë nga Sektori për Menaxhim me Mbeturinat pranë Drejtorisë për Ambient Jetësor. 
 
“Qëllimi ynë është që pjesa më e madhe e mbeturinave të riciklohen, përkatësisht të përdoren ose si energji, ose të përpunohet në ndonjë material tjetër që mund të përdoret për të njëjtin dedikim. Qëllimi është sa më pak mbeturina të përfundojnë në deponitë e tona”,– theksoi Ana Karanfillova-Maznevska nga Drejtoria për Ambient Jetësor.
 
Njëherit, Maznevska theksoi se në Maqedoni vetëm deponia Drislla posedon leje integrale për menaxhim me mbeturina, ndërsa deponitë tjera që shfrytëzohen nga komunat nuk i plotësojnë kushtet minimale teknike për aplikim që të pajisen me leje, prandaj punojnë si deponi jo të standardizuara apo të egra.