Futbolli përgjaket në Laç. Kukësi fitoi duelin me kurbinasit, por lojtarët dhe tifozët e Kukësit kanë përfunduar të fashuar si pasojë e dhunës së egër të tifozëve vendas, që kanë përdorur edhe mjete të forta. Në fakt, nisi e tensionuar dhe përfundoi në mënyrën më të keqe sfida në Laç. Kukësi iu gëzua përgjysmë rikthimit te fitorja, sepse ajo që ka ndodhur mbi të gjitha në përfundim të ndeshjes kishte pak lidhje me futbollin. Sikur të mos mjaftonin çakmakët e hedhur gjatë lojës në fushë, ku prej minutave të para u godit mbrojtësi Bujar Idrizi, ndërsa në startin e pjesës së dytë fat të njëjtë kishte edhe braziliani Kale, situata doli jashtë kontrollit në fundin e sfidës. Sipas klubit të Kukësit, edhe mbrojtësi Albi Alla u godit me gur nga tifozeria laçiane. Fatmirësisht, 24-vjeçari nuk pësoi lëndim serioz, pavarësisht se goditja ishte në kokë. Gjithashtu tifozët kurbinas sulmuan mbështetësit e kampionëve në fuqi, që kishin udhëtuar për të ndjekur skuadrën në këtë transfertë. Dy grupimet goditën njëra-tjetrën me sende të forta, ndërsa tifozë nga të dy krahët pësuan lëndime. Stafi mjekësor i Kukësit i erdhi në ndihmë edhe dy pjesëtarëve të grupimit “Armata e Veriut”, të cilët kishin marrë plagë më serioze, madje duke pësuar çarje edhe në pjesën e pasme të kokës.

Ndeshja

Kukësi është rikthyer të fitojë pas 4 takimesh, teksa ka mposhtur Laçin me rezultatin minimal 0-1. 90-minutëshi i parë i javës së 13-të të Superligës, ka qenë vërtetë spektakolar dhe protagonist kanë qenë laçianët e Gentian Mezanit, që zhvilluan një takim mjaft intensive. Vendasit dominuan totalisht sfidën dhe bënë gjithçka në perfeksion, përveç atij më të rëndësishmit, golit. Nga ana tjetër, Kukësi u mundua të menaxhojë avantazhin e shpejtë, ndërsa tentonte të sulmonte herë pas here me kundërsulm. Skuadra e Milinkoviçit gjeti menjëherë avantazhin, me anë të kapitenit Shameti, në minutën e 3-të. Gjirokastriti shfrytëzoi më së miri një krosim të ardhur në zonë nga këndi, dhe pasi i shpëtoi mbulimit të kundërshtarit, goditi me kokë dhe gjeti rrjetën e portierit Selmani. Ky gol e ndezi sfidën, me vendasit që u hodhën në sulm, në kërkim të golit të barazimit dhe veri-lindorët që kundërsulmonin rrezikshëm. Laçjanët krijojnë disa mundësi të mira, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë, kanë rastin më të mirë për të barazuar, por braziliani Ekskerda gjuan jashtë penalltinë e akorduar nga kryesori Meta. Edhe pjesa e dytë ka të njëjtën tablo, me skuadrën e Mezanit që sulmon pareshtur, ndërsa kuksianët kundërsulmojnë shpejt. Portieri Koliçi u bë disa herë vendimtar për skuadrën e tij, ndërsa në krahun tjetër, Selmani ndali mrekullisht një goditje të sulmuesit Guri. Në minutat e fundit, heroi i takimit, Shameti, për pak sa nuk ndëshkoi skuadrën e tij, pasi devijoi tmerrësisht keq një top të ardhur në zonë, që për pak përfundoi në rrjetën e Koliçit. E nëse në fushë u luajt një takim spektakolar, nga ata që rrallë i shohim në Superligë, në shkallët e stadiumit u vu re një sjellje krejtësisht e papranueshme dhe për t’u dënuar, e tifozëve laçjanë. Krahas të sharave në kor, që janë në modë në stadiumet shqiptare, tifozët vendas nuk u kursyen as me hedhjen e sendeve në fushë, teksa fillimisht goditën mbrojtësin e djathtë të Kukësit, Bujar Idrizin dhe më pas sulmuesin brazilian Elton Kale. Këto veprime pritet t’i kushtojnë rëndë skuadrës së Laçit, që rrezikon të luajë disa takime pa praninë e tifozerisë. Pas ndeshjes, dy tifozeritë u përplasën në dalje të stadiumit, ku tifozët vendas kanë goditur me sende të forta tifozët e Kukësit, duke bërë që situata të përshkallëzohet. Nuk është hera e parë që në Laç ushtrohet dhunë, por këtë herë Disiplina nuk do të kursehet. Duke u kthyer te ndeshja dhe fitorja e skuadrës verilindore, duhet thënë se me trepikëshin e djeshëm Kukësi i afrohet ndjeshëm Skënderbeut kryesues, me vetëm 5 pikë, pavarësisht se korçarët kanë një duel për të zhvilluar, atë ndaj Partizanit, takim që do të luhet ditën e hënë në kryeqytet.