Sot  bëhen 3 vite nga sulmi i armatosur në Lagjen e trimave në Kumanovë ku si pasojë jetën 8 policë të MPB-së ndërsa u vranë 10 anëtarë të grupit të armatosur. lidhur me këtë rast për veprën penale terrorizëm u akuzuan 38 persona, pas një maratone seancash rasti mori epilog vitin e kaluar.

Nga 38 personat e akuzuar, 4 janë liruar, 8 u dënuam me burgim të përjetshëm ndërsa të tjetër me 746 vjet burg. Me burg të përjetshëm u dënuan: Andi Krasniqi- komandant Malisheva, Demë Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Beg Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Sami Ukshini i njohur si komandant Sokoli u dënua me 40 vjet burg. Po me 40 vjet burg u dënuan edhe Esat Kafegjolli, Adrian Bujari, Shefqet Hallaqi, Enver Hoxha-Kllajn, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Rufki Dogani, Betim Kabashi, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari, Fatmir Reçica dhe Genci Sefaj. Gjashtë u dënuan me nga 20 vjet burg, ndërsa të tjerët me nga 18, 14, 13 dhe 12 vjet heqje lirie. Shqiptimin e dënimit nuk e pritën të gjithë të akuzuarit, pasi paraprakisht lëshuan sallën duke mohuar akuzat për terrorizëm. Ata madje brenda sallës së gjyqit ishin ngritur në këmbë duke kënduar himnin kombëtar, brohoritnin “UÇK UÇK”.

Procesi gjyqësor për grupin e Kumanovës, sipas palës mbrojtëse është zhvilluar me shumë mangësi. Palës mbrojtëse ju refuzuan mbi 50 dëshmitarë, në mesin e të cilëve kishte emra të njohur të funksionarëve shtetëror por dhe ish funksionarëve, si Ali Ahmeti, Gordana Jankullovska, Sasho Mihajllkov, Musa Xhaferi, Arstan Grubi , Zoran Zaev dhe Sadulla Duraku, njofton Alsat M.

Dëshmitar i vetëm i pranuar nga ana e trupit gjykues ishte Shenasi Mehmeti i punësuar në agjencinë e inteligjencës që supozohet të jetë dëgjuar në bisedat e përgjuara me disa nga pjesëtarët e Grupit. Por i njëjti nuk u lejua të dëshmojë nga Agjencia për inteligjencë me arsyetimin se bëhet fjalë për sekrete shtetërore. Ndërsa Nimet Abdullai, agjent i DSK-së i cili ishte përmendur nga pjesëtaret e grupit të Kumanovës, ndërroi jetë nga një sulm kardiak .

37 të akuzuarit në të gjitha 80 seancat gjyqësore, ngjarjet e 9 dhe 10 majit në lagjen e Trimave i kanë cilësuar si një kurth nga ana e disa personave nga Maqedonia, por në asnjë rast ata nuk kanë përmendur ndonjë emër konkret. Të gjithë të akuzuarit vazhdimisht kanë thënë se arsyeja e ardhjes së Maqedoni ishte për ti mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe asnjëri nuk kishte ardhur për para.

Lidhur me sulmin e armatosur në Kumanovë më 9 dhe 10 maj shërbimet ishin në njohuri për sulm të armatosur. Skenarin “Kumanova” e kishte paralajmëruar një muaj më herët ish gjenerali i policisë Stojaçe Angellov i cili pretendonte se për realizimin e tij janë dhënë 2 milion euro.