Pesë persona janë konfirmuar të vdekur dhe tetë të tjerë të plagosur, pas të shtënave në një aeroport të Floridës.

Një orë pas vrasjes së parë, u njoftuan të shtëna në zona të tjera të aeroportit, por zyrtarët thanë më vonë në një konferencë shtypi se këto njoftime ishin të pabaza.

Tetë persona të plagosur në Aeroportin Ndërkombëtar Hollywood të Fort Lauderdale-it u transferuan në një spital. Policia tha se sulmi ishte kryer nga një i dyshuar i vetëm, i cili u mor në paraburgim.

Senatori i Floridës Bill Nelson u tha gazetarëve se në xhepat e dyshuarit u gjet një kartë identifikimi ushtarak me emrin Esteban Santiago, por nuk është konfirmuar se karta i përket atij. Nelson tha se motivi i ngjarjes nuk është i qartë.

Sipas zyrtarëve, personi që qëlloi ishte pasagjer në një avion të linjave ajrore kanadeze dhe e kishte futur armën e zjarrit në bagazh, i cili ishte kontrolluar.

Dëshmitarët i thanë rrjetit ABC News se personi kishte thirrur disa herë “Nuk jam hebre”. Sipas disa njoftimeve të tjera, ai kishte veshur një bluzë me simbolet “Star Wars” dhe ishte shtrirë në tokë me duar dhe këmbë të hapura në pritje të arrestimit, pasi kishte qëlluar mbi 13 vetë.

 

Policia tha se i dyshuari u arrestua i palënduar. Autoritetet thanë se ishin të pasigurt nëse bëhej fjalë për një akt terrorist.

Helikopterët e televizioneve që fluturonin mbi zonën e ngjarjes tregonin qindra njerëz duke pritur në pistë, ndërkohë që ambulancat merrnin viktimat për t’i dërguar në spital.

Ish-Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer njoftoi me Twitter se ndodhej në aeroport, kur u dëgjuan të shtënat, por më pas gjendja u qetësua.