Pesë pjesëtar të grupit të Kumanovës, sipas dëshmive të pjesëtarëve të tjerë të  akuzuar, janë vrarë nga policia pas arrestimit. Beg Rizaj, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Sami Kastrioti dhe një pjesëtar tjetër i grupit që luftoi në Kumanovë kanë qenë të likuiduar pas dorëzimit në stacion policor. Këtë e denoncoi Rufki Dogani në seancën e sotme gjyqësore.

“Përse u vranë Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj pas dorëzimit në stacion policor. Begu dhe Mirsadi kanë qenë në polici të gjallë së bashku me Valon Kabashin, Sami Kastriotin dhe një tjetër që nuk më kujtohet emri. Këto janë vrarë pas arrestimit. Kërkojmë zbardhjen e rastit me ndihmë të ndërkombëtarëve, SHBA-ve”, tha Rufki Dogani, pjesëtar i grupit të “Kumanovës”

I akuzuari tjetër Nasuf Beqiri, tha se ardhja e tij dhe grupit në Kumanovë nuk kishte qenë për të luftuar dhe vrarë civilë e policë por që janë gjetur në situatë të tillë që kanë qenë të detyruar të sulmojnë pasi që ishin rrethuar nga policia.

“I kujtoj si sot fjalët e Begut dhe Mirsadit se në Kumanovë ne do të shkojmë si figura, nuk do të sulmojmë, nëse policët afrohen do të gjuani në ajër për ti frikësuar që të mos vijë deri te përleshja. Ne jemi të keqpërdorur për qëllime politike. Numri i personave të akuzuar për këtë rast mund të arrijë deri në 100 po ne nuk do ta pranojmë veprën për terrorizëm”, tha Nasuf Beqiri në sallën e Gjykatës Themelore Shkupi 1.

Edhe sot pjesëtarët e grupit dhe avokatët e tyre vazhduan me kundërshtimin  e aktakuzës për terrorizëm me të cilën ngarkohen. Duke rikujtuar gjykatën se në ngjarjet e sulmit në Gushincë asnjë polic nuk është prekur me dorë, ironizuan duke thënë se nuk ekziston terrorizëm-human. Gjatë pauzës pesëmbëdhjetë minutëshë të seancës, avokatët dhe familjarët vetëm vërtetuan pohimet e pjesëtarëve të grupit të cilët thonë se rasti është një inskenim politik.

Mbrojtja vazhdimisht theksonte mungesën e provave për akte terrorizmi  duke kërkuar që të rishqyrtohet aktakuza. Televizioni SHENJA kohë më parë publikoi edhe obduksionet e Beg Rizajt dhe Arben Rexhajt, të dytë të vrarë me nga një plumb në ballë. Obduksionit i mungonin të dhëna elementare për rrethanat e vrasjes, që linte hapësirë për dyshime rreth vrasjes së tyre./shenja