Në marrëveshjen e nënshkruar në Washington më 4 shtator janë edhe disa pika tjera përveç atyre ekonomike, për zbatimin e të cilave Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka miratuar planin 16-pikësh, të cilat kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e Kosovës në takimet e mini-Shengenit, njohjen e diplomave, liritë fetare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës e Izraelit.

Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, aty parashihet që “Të dy palët do të futen në “mini-Schengen”, të shpalosur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj”.

Për këtë qëllim në Planin e Zbatimit të marrëveshjes së Washingtonit thuhet se “Kryeministri shpreh angazhimin që Kosova do të marrë pjesë në aktivitetet e procesit, duke përfshirë takimin e ardhshëm të Liderëve si një anëtar i barabartë”.

Po ashtu, në këtë Plan thuhet se të dy palët do të njohin reciprokisht diplomat dhe certifikatat profesionale.

“Si hap i parë do të organizohet një takim zyrtar në mes të Ministrave të Arsimit – Kosove – Serbi. Në këtë takim do të diskutohet për mënyrën e e zbatimit të marrëveshjes për njohje/barasvlerë të diplomave. Si hap i dytë do të takohen Qendra NARIC Kosova dhe NARIC Serbia, ku do të akordohen për çështjet administrative lidhur me procedurat për njohje/Barasvlerë”, thuhet në planin e Qeverisë.

Sa i përket lirive fetare, “Të dy palët zotohen të mbrojnë dhe promovojnë lirinë fetare, duke përfshirë komunikimin ndër fetar, mbrojtjen e vendeve fetare dhe zbatimin e vendimeve gjyqësore që i përkasin Kishës Ortodokse Serbe dhe rikthimin e vazhdueshëm të pasurisë hebreje të patrashëguar dhe të pa kërkuar që nga periudha e Holokaustit”.

Në dokument thuhet se ligji aktual për Lirinë Fetare i vitit 2007 ka mangësi të theksuara ndërsa Ligji i ri i ka kaluar të gjitha fazat e hartimit dhe pritet të miratohet nga Qeveria, më pastaj të dërgohet në Kuvend.

“Miratimi i Ligjit të ri për lirinë fetare nga Qeveria dhe Kuvendi. Krijimi i Grupit ndërministror për analizimin e gjendjes aktuale sa i përket pasurisë hebreje të patrashëguar dhe të pa kërkuar që nga periudha e Holokaustit”, thuhet aty.

Sa i përket pikës së 14 të marrëveshjes ku të dy palët zotohen të përcaktojnë Hezbollahun në tërësinë e saj si organizatë terroriste dhe të zbatojnë plotësisht masat për të kufizuar operacionet dhe aktivitetet financiare të Hezbollahut në juridiksionet e tyre, është paraparë që “Të analizohet dhe zhvillohet korniza ligjore për të përcaktuar Hezbollahun si organizatë terroriste në tërësinë e saj, përfshirë masat ligjore për të kufizuar operacionet dhe aktivitetet financiare brenda Kosovës”.

Sipas marrëveshjes së Washingtonit, Kosova do të pranojë të zbatojë një moratorium një vjeçar që pauzon kërkimin për anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare dhe Serbia do të bëjë një moratorium një vjeçar për ndalje të fushatës së saj të çnjohjes dhe do të përmbahet të kërkojë nga ndonjë shtet ose organizatë ndërkombëtare që të mos njohë Kosovën si një shtet të pavarur.

“Të dy marrëveshjet për të hequr dorë do të hyjnë në fuqi menjëherë. Iniciativat në lidhje me anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare përfshijnë kulturën (EUROIMAGES), Tregtinë (EFTA), shëndetësinë dhe sektorë të tjerë. Duhet të definohet se çfarë nënkupton saktësisht kjo, duke përfshirë qartësimin rreth nismave rajonale dhe ato që lidhen me procesin e anëtarësimit në BE.
Lëshohet qarkorja nga MPJD për të gjitha institucionet, ku kërkohet të tërhiqen të gjitha aplikimet dhe ku theksohet se për një periudhë 1 vjeçare, Kosova nuk do të aplikojë në organizata ndërkombëtare”, thuhet në Plan.

Pika e fundit e marrëveshjes parasheh që Kosova dhe Izraeli të njohin njëra-tjetrën dhe të ndërmerren hapat e nevojshëm ligjor për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.