Struktura të caktuara politike të qeverisë së deritanishme në Maqedoni janë aktivizuar në mënyrë aktive për të bllokuar formimin e Qeverisë së re, e cila po pritet të rrumbullakësohet orëve të fundit.
Burime diplomatike theksojnë për INA se struktura të caktuara të fuqishme politike që janë hartues të skenarit të 27 prillit, janë aktivizuar për të shkaktuar krizë të re. Kjo krizë siç mësohet ka të bëjë me bllokimin e formimit të Qeverisë së re me mandatar Zoran Zaev.

“Ka implikime të mëdha dhe dora e zgjatur vepron tek kampi politik shqiptar, ku synohet bllokimi i formimit të Qeverisë nga Zaev. Implikimet e tilla po bëhen përmes shantazheve të ndryshme dhe joshjeve, vetëm e vetëm të dështojë Qeveria e re që do përkrahet fuqishëm nga SHBA dhe BE. Qëllimi është të realizohet skenari për zgjedhje të reja parlamentare në pako me ato lokale”, theksoi burimi diplomatik për INA.

Nga ana tjetër, pas reagimeve jo zyrtare nga kampi i LR-PDSH për pakënaqësi ndaj ministrave të propozuar nga Ahmeti, diplomatë të fuqishëm kanë kërkuar që Ziadin Sela të jetë pjesë e Qeverisë e cila do të ketë përkrahjen e fortë të SHBA dhe BE, duke evituar pakënaqësitë ndaj individëve të caktuar, që mund të konsiderohen vetëm siç thuhet teknokrat të përkohshëm. (INA)