Kryeministri, Zoran Zaev dhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot në ora 11:45 në konferencë për shtyp, do t’i tregojnë detajet e propozim-planit “3-6-9” për zbatimin e reformave prioritare.

Qeveria e Maqedonisë në seancën e djeshme e ka miratuar propozim-planin “3-6-9”. Në seancë, Ministria e Punëve të Brendshme ka kumtuar se për shkak të vjetërsimit është e nevojshme që të revidohet strategjia ekzistuese për ekstremizëm radikal. Qeveria e ka shqyrtuar dhe e ka miratuar informatën për përgatitjen e strategjisë nacionale dhe planit aksionar për shkatërrimin e radikalizmin dhe të ekstremizmit të dhunshëm 2017-2020, por edhe ndryshimet e strategjisë nacionale dhe planit aksionar për luftë kundër terrorizmit.

Qeveria gjithashtu dje e anuloi implementimin e programit “Kembrixh” në shkollat e mesme, ndërkaq nxënësit nga shtatori do të munden që të mësojnë sipas programit të vjetër.