Gjykata turke ka dënuar me burgim të përjetshëm 34 persona të cilët akuzohen se planifikuan vrasjen e Presidentit Rexhep Taip Erdogan gjatë tentativës së dështuar të grushtit të shtetit.

Lajmi është konfirmuar në rrugë zyrtare, teksa saktësohet se shumica e të dënuarve janë ushtarë nga forcat speciale.

Në total, gjykata mori nën shqyrtim 46 persona, por shpalli të fajshëm vetëm 34 prej tyre.

Këta të fundit mendohet se kishin përgatitur një plan për të sulmuar Presidentin në kohën që ky i fundit ishte duke pushuar në një hotel në zonën jug-perëndimore të Turqisë.

Ndërkohë, ende vijojnë proceset gjyqësore për mijëra ushtarë të tjerë të cilët dyshohet se u bënë pjesë e tentativës për rrëzimin e qeverisë.

Zyrtarët e Ankarasë kanë bërë fajtorë klerikun Fetullah Gulen për grushtin e shtetit, duke kërkuar edhe ekstradimin e tij nga Shtetet e Bashkuara, por diçka e tillë ende nuk ka ndodhur.

Nga ana tjetër, Gulen shprehet se bëhet fjalë për një ngjarje të inskenuar nga Presidenti Erdogan me qëllim që të eliminohen zërat kundër tij.

Zhvillimet pas grushtit të shtetit në Turqi janë pritur ndërkohë me shqetësim nga Bashkimi Europian, ku theksi vendoset tek trajtimi i të burgosurve.

Sipas raporteve të disa organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, personat që mbahen në burgjet e Turqisë po përballen me diskriminim, dhunë dhe tortura, ndërsa me shqetësim shihet edhe garantimi i proceseve të rregullta ligjore.