Partia Liberal Demokrate vlerëson se presidenti i shtetit duhet mandatin t’ia japë liderit të koalicionit “Për jetë në Maqedoni” Zoran Zaev që ai të krijojë shumicë parlamentare.

Në kumtesë, PLD vlerëson se koalicioni “Për jetë në Maqedoni” është ai që meriton të formojë qeveri të re dhe se ky është vullnet i më shumë se 612 mijë qytetarëve.

“Qytetarët nga të gjitha bashkësitë etnike votuan për ndryshime. Në pajtim me Kushtetutën, Gjorge Ivanov duhet mandatin t’ia japë liderit të koalicionit ‘Për jetë në Maqedoni’, Zoran Zaev ta krijojë shumicë të re parlamentare”, thotë PLD.

Sipas PLD-së, presidenti i shtetit nuk duhet të veprojë në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve dhe të tentojë ta thellojë krizën politike në vend.